Sulmi i hakerave, Meta: Dorëheqja e Ramës mund të rivendosë besimin te siguria kombëtare

Publikuar më: 20/9/2022, ora 12:50

Sulmi i hakerave, Meta: Dorëheqja e Ramës mund të rivendosë besimin te siguria kombëtare

Publikuar më: 20/9/2022, ora 12:50

Teksa foli për sulmin e hakerave nga Irani ndaj institucioneve shqiptare, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u shpreh se vetëm dorëheqja e kryeministrit Rama do të rikthente besimin në institucionet e vendit.

“Vetëm dorëheqja e Ramës mund të vendosë besimin e qytetarëve të institucioneve. Ai i ka marrë përsipër, teksa që në fillim ka thënë se patronazhistët po bëjnë një punë shumë të mirë”, u shpreh Meta.

Meta, thotë se qeveria po i mban të fshehta pasojat e sulmit kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë.

“Prokuroria të bëjë urgjent hetim të thellë dhe serioz për evidentimin e përgjegjësive të qeverisë dhe institucioneve të tjera në lidhje me menaxhimin e të dhënave dhe veprimet e mosveprimet që sollën në këtë situatë. Siç është provuar, cenimi i sigurisë kombëtare ka ndodhur në vazhdimësi, dhe përgjatë gjithë kësaj kohe, Edi Rama ka mashtruar dhe vazhdon të gënjejë lidhur me pasojat e vërteta të këtij sulmi ndaj Shqipërisë”, tha Meta në një konferencë për mediat.

Ai gjithashtu shtoi se kishte paralajmëruar për këto lloj sulmesh, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Kam paralajmëruar të gjitha institucionet përpara se të niste agresioni rus në Ukrainë, sidomos lidhur me marrjen e masave për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, të të gjithë sistemit tonë, të bankave dhe gjithë infrastrukturës strategjike. Edhe pas mbledhjes, përsëri u kam dërguar zyrtarisht shkresë zyrtare institucioneve përgjegjëse për të ndjekur, për gjithçka ramë dakord. Edhe pasi ka ndodhur sulmi ndaj Ukrainës, kemi diskutuar rëndësinë e forcimit të masave të sigurisë kibernetike”, shtoi ish-presidenti.