Tensionet për targat, NATO: Jemi gati të shtojmë trupat në Kosovë

Publikuar më: 20/9/2022, ora 15:39

Tensionet për targat, NATO: Jemi gati të shtojmë trupat në Kosovë

Publikuar më: 20/9/2022, ora 15:39

NATO është e gatshme të shtojë praninë e trupave ushtarakë në Kosovë, nëse ka rritje të tensioneve mes minoritetit serb, lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS – Republika e Kosovës. Këtë e tha zëvendës komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Luca Piperini.

“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… nëse kemi rritje të tensioneve mund të rrisim numrin e forcave rezervë… mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”.

Situata në veri të Kosovës u tensionua më 31 korrik, një ditë para se të niste zbatimi i vendimit për dokumentet e hyrje/daljeve dhe regjistrimin e targave të makinave. Ndërsa palët janë dakordësuar për çështjen e dokumenteve, vendimi për regjistrim të makinave, ka hyrë në fuqi më 1 shtator dhe do të zgjasë deri më 31 tetor.

Autoritetet në Kosovë nuk kanë ofruar hollësi se si do të veprojnë pas skadimit të këtij afati.

Piperini tha se situata është e qetë, po vijon tw mbetet e brishtë, prandaj NATO-ja nuk përjashton mundësinë e tensioneve të reja, apo dhunës, kur të skadojë afati.

“Nëse situata përkeqësohet, ne jemi gati të ndërhyjmë. Kemi forca të mjaftueshme për t’u përballur me situatën. Me një numër të tillë trupash, ne mund t’i japim fund çdo lloj tensioni”.

Piperni iu referua trupave jashtë Kosovës, që NATO mund t’i angazhojë si përforcime. Në Kosovë vlerësohet se janë rreth 10.000 makina me targa të qyteteve të Kosovës – kryesisht KM(Mitrovicë e Kosovës) të cilat i lëshon Serbia. Kosova i konsideron këto targa të palgijshme, meqë Prishtina dhe Beogradi kanë marrëveshje për liri të lëvizjes prej vitit 2011.