Asambleja e Përgjithshme e OKB, liderët botërorë dënojnë luftën, Scholz: Putin do të humbë

Publikuar më: 21/9/2022, ora 12:12

Asambleja e Përgjithshme e OKB, liderët botërorë dënojnë luftën, Scholz: Putin do të humbë

Publikuar më: 21/9/2022, ora 12:12

Lufta ruse në Ukrainë mori vëmendjen kryesore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me Gjermaninë dhe Francën që dënuan ashpër, atë që e quajtën imperializmi i Putinit. Katari dhe Senegali kërkuan rinisjen e menjëhershme të bisedimeve të paqes, ndërsa Lituania bëri thirrje për ngritjen e një gjykate të posaçme për ndëshkimin e krimeve të Rusisë në Ukrainë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Putin duhet ta kuptojë se nuk mund ta fitojë luftën, ndërsa tha se nuk ka asnjë justifikim për nisjen e fushatës së agresionit në shtetin fqinj.

“Nuk ka justifikim për pushtimin rus të Ukrainës. Presidenti Putin e nisi luftën me të vetmin objektiv; të aneksojë Ukrainën. Vetëvendosja, pavarësia politike nuk vlejnë për të. Ky është imperializëm, i qartë dhe i pastër. Rikthimi në imperializëm është një katastrofë jo vetëm për Europën, por për të gjithë rendin paqësor global”, tha kancelari.

Në një fjalim të pasionuar presidenti francez Emanuel Macron tha se asnjë vend nuk duhet të qëndrojë neutral në dënimin e luftës ruse. 

“Ata që qëndrojnë të heshtur sot, po i shërbejnë kauzës së imperializmit të ri, një cinizëm bashkëkohor që po shkatërron botën. I bëj thirrje anëtarëve të asamblesë të na mbështesin në rrugën drejt paqës dhe të veprojnë për të detyruar Rusinë të heqë dorë nga lufta”, u shpreh kreu i Elysee.

Megjithatë, disa vende u dukën jo aq të gatshme të zgjedhin se cilën anë të mbajnë. Presidenti i Senegalit dhe kreu i Unionit Afrikan tha se Afrika ka vuajtur mjaftueshëm barrën e historisë dhe nuk dëshiron të bëhet terren mbarështimi për një luftë të re të ftohtë.

Katari i bëri jehonë thirrjeve për bisedime paqeje, ndërsa presidentin Erdogan tha se marrëveshja e ndërmjetësuar nga vendi i tij dhe OKB-ja për eksportet e drithërave ishte një prej arritjeve më të mëdha të organizmit global.