Biden në OKB: Kërcënimet bërthamore të Putinit, të pamatura

Publikuar më: 21/9/2022, ora 19:30

Biden në OKB: Kërcënimet bërthamore të Putinit, të pamatura

Publikuar më: 21/9/2022, ora 19:30

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”. Kështu iu përgjigj Presidenti amerikan, Joe Biden, kërcënimeve serioze të lëshuara nga homologu i tij rus, Vladimir Putin.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kreu i Shtëpisë së Bardhë u kërkoi të gjitha kombeve të riangazhohen për të forcuar ndalimin e përhapjes së bërthamore, pas kërcënimeve të Putinit kundër Perëndimit. Gjithashtu, Biden akuzoi Rusinë për shkeljen e parimeve thelbësore të anëtarësisë në Kombet e Bashkuara duke pushtuar Ukrainën. 

“Presidenti Putin ka bërë kërcënime të hapura bërthamore kundër Europës dhe një shpërfillje të pamatur për përgjegjësitë e frenimit të përhapjes së armëve atomike. Tani Rusia po thërret më shumë ushtarë për t’i dërguar në luftë dhe Kremlini po organizon një referendum të rremë në përpjekje për të aneksuar pjesë të Ukrainës, një shkelje jashtëzakonisht e rëndësishme e kartës së OKB-së. Kjo botë duhet t’i shohë këto akte të egra ashtu siç janë”, tha Biden.

Ai akuzoi drejtëpërdrejtë Presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se nisi një luftë të paprovokuar me synimet e qarta për ta fshirë Ukrainën nga harta e ekzistencës. Presidenti amerikan ia hodhi fajin Rusisë për krizën globale ushqimore, duke e akuzuar vendin për “pompimin e gënjeshtrave” në lidhje me sanksionet perëndimore.

“Është lufta e Rusisë ajo që po përkeqëson pasigurinë ushqimore dhe vetëm Rusia mund t’i japë fund”, u shpreh Biden.

Gjithashtu, pati një deklaratë edhe për rivalitetin, shpesh me tensione të larta, me Kinën: “Ne nuk kërkojmë konflikt. Ne nuk kërkojmë një luftë të ftohtë. Ne nuk i kërkojmë asnjë kombi të zgjedhë midis Shteteve të Bashkuara apo ndonjë partneri tjetër”.

Biden mbështeti zgjerimin e vendeve të përhershme dhe jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për “të qenë më gjithëpërfshirës” në një botë që po ndryshon gjithnjë e më shumë.