Rama, takim me Lajçak për Kosovën

Publikuar më: 21/9/2022, ora 10:26
Rama takim me Lajcak per Kosoven 1280x720

Rama, takim me Lajçak për Kosovën

Publikuar më: 21/9/2022, ora 10:26

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Miroslav Lajçak, të dërguarin special të Bashkimit Europian për dialogun Beograd-Prishtë dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor.

“Nju-Jork, me mikun e mirë Miroslav Lajçak, për ecurinë e dialogut Kosovë – Serbi”, shkroi Rama në Facebook, pa dhënë shumë detaje rreth takimit.

Rama ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Një ditë më parë, ai u takua me liderët e tjerë të rajonit, si dhe me shefin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Josep Borrell. Diskutimet mes liderëve u fokusuan te lufta në Ukrainë dhe ndikimin që ajo ka sjellë në ekonominë e botës dhe rajonit tonë.

Në njoftimin e Brukselit zyrtar shkruhet se Borrell iu shprehu angazhimin liderëve të Ballkanit se BE-ja do të jetë krah tyre në përballimin e krizave që ka sjellë lufta në Ukrainë. “BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballje me sfidat që sjell lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës në nivel botëror. BE-ja përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu, Borrell diskutoi me liderët e Ballkanit se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të kësaj lufte mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë dhe të stabilitetit dhe sigurisë në Evropë dhe botë. Borrell u ka premtuar shteteve të Ballkanit Perëndimor se blloku evropian do t’i ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar kërcënimet hibride, përfshirë ato kibernetike.