Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

SHBA nuk do t’i njohë referendumet ruse në Ukrainë

Nga A2 CNN
21 Shtator 2022, 07:31 | Bota
SHBA nuk do t’i njohë referendumet ruse në Ukrainë

Në një lëvizje të koordinuar e që rrezikon të përshkallëzojë konfliktin në Ukrainë, autoritetet e instaluara nga Moska në territoret e pushtuara kanë njoftuar mbajtjen e referendumeve nga data 23 deri në 27 shtator, në Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhia, për bashkimin e këtyre rajoneve me Rusinë. Ato përfaqësojnë 15 për qind të territorit Ukrainës, një zonë më përmasat e Hungarisë.

“Të dashur bashkatdhetarë. Sot më 20 shtator, Parlamenti i Republikës së Luhanskut aprovoi një ligj për mbajtjen e referendumit mbi çështjen e bashkimit me Federatën Ruse në datat 23-27 shtator. Kemi pritur plotë 8 vjet për këtë referendum, ka qenë ëndrra dhe e ardhmja jonë e përbashkët”, tha Leonid Pasechnik, kreu i Republikës së vetëshpallur të Luhansk.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha se “pa asnjë mëdyshje” Uashingtoni kundërshton çdo referendum të tillë. Ndërsa, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, përdorën fjalën “mashtrim” për të përshkruar referendumet e paralajmëruara nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

“Siç e kemi paralajmëruar prej muajsh, Rusia po vazhdon me planet për të mbajtur referendume të rreme në zonat e kontrolluara prej saj në Ukrainë duke shkelur drejtpërdrejt sovranitetin e këtij vendi. Këto referendume janë një shkelje ndaj parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial ku mbështetet sistemi ndërkombëtar dhe që qëndrojnë në zemër të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ne i kundërshtojmë pa mëdyshje veprimet e Rusisë”, tha Jake Sullivan.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, tha se fakti që Rusia që po vijon me planet për referendum në rajonet ukrainase dhe se njofton mobilim të më shumë forca rezerviste teksa mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB, tregon përbuzjen e plotë të Putinit për Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas tij nuk është çudi që Moska po e bën një veprim të tillë tani, pas humbjeve të fundit në fushëbetejë. Kanadaja dhe bashkimi europian dënuan gjithashtu referendumet. Ministri i Jashtëm ukrainas Dmitro Kuleba tha të martën se Rusia mund të bëjë ç’të dojë por asgjë nuk do të ndryshojë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë