Eksodi i rusëve, meshkujt në moshë lufte zbarkojnë në Serbi, Turqi e Finlandë

Publikuar më: 22/9/2022, ora 15:54

Eksodi i rusëve, meshkujt në moshë lufte zbarkojnë në Serbi, Turqi e Finlandë

Publikuar më: 22/9/2022, ora 15:54

Dhjetëra pasagjerë zbarkuan në orët e para të së enjtes në Beograd, në fluturime nga Moska, një ditë pasi presidenti Putin njoftoi mobilizim të pjesshëm të 300 mijë rezervistëve në luftën në Ukrainë. Shumë thonë se i kishin blerë biletat me herët, por jo të gjithë janë të sigurt nëse do të rikthehen.

“Nuk e di a do të rikthehem, të shohim”, thotë një banor.

Një tjetër rus i cili e ka identifikuar veten si Sergei, tha se ishte i shqetësuar për vendimin e Putinit. “Çdo njeri normal është i shqetësuar mendoj. Lufta është e tmerrshme kështu që është normale të kesh frikë, nga lufta apo nga vdekja”, thotë një tjetër.

Të shumtë ishin rusët që zbarkuan në aeroportin e Stambollit, tjetër destinacion i përzgjedhur nga ata që duan t’i shpëtojnë rekrutimit në luftë. Një prej tyre tha se ishte nisur vetëm me një çantë shpine drejt aeroportit, menjëherë pasi Putin njoftoi vendimin.

“Mobilizimi i pjesshëm është arsyeja përse jam këtu. Ishte një hap shumë i dobët dhe që do të sjellë shumë probleme për qytetarët rusë”, shprehet një tjetër.

Një numër i madh qytetarësh rusë kanë kaluar kufirin tokësor me Finlandën. Siç bëjnë të ditur rojet kufitare në rrjetin social twitter, një total prej mbi 4800 qytetarësh rusë kanë mbërritur në Finlandë mbrëmjen e së mërkurës, e megjithatë situata mbetet nën kontroll.

Radhë të gjata automjetesh u krijuan edhe në kufirin me Gjeorgjinë. Në një reagim, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, i cilësoi si të ekzagjeruara raportimet për një eksod të burrave në moshë lufte nga Rusia.