ISHP për salsiçet me bakter: Rreziku deri 90 ditë pas konsumit, nuk raportohen individë të sëmurë

Publikuar më: 22/9/2022, ora 15:22

ISHP për salsiçet me bakter: Rreziku deri 90 ditë pas konsumit, nuk raportohen individë të sëmurë

Publikuar më: 22/9/2022, ora 15:22

Deri tani, nuk ka persona të konfirmuar me sëmundjen e listeriozës nga konsumimi i salsiçeve të kontaminuara me bakterin me të njëjtin emër. Pas alarmit të dhënë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Shëndetit Publik ka përforcuar shërbimin për të identifikuar çdo rast të mundshëm më këtë sëmundje.

Listerioza është në listën e atyre sëmundjeve që detyrimisht raportohen në ISHP. “Shenjat e lehta të sëmundjes ngjasojnë me ato të një viroze stine, temperaturë e lartë dhe probleme gastrointestinale. Por për personat me imunitet të dobët, përfshi dhe gratë shtatzënë, konsumimi i salsiçeve të kontaminuara mund të rezultojë fatal”, tha Artan Simaku, specialist në ISHP.

Periudha e inkubacionit të bakterit deri në shfaqjen e shenjave të sëmundjes zgjat nga 3 deri në 90 ditë. Epidemiologët ju bëjnë thirrje qytetarëve që kanë konsumuar këto produkte, nëse kanë shenja dhe shqetësime t’i drejtohen mjekut të familjes.

Sëmundja e listeriozës shfaqet vetëm tek individët që kanë konsumuar produkte të kontaminuara dhe nuk është ngjitëse për personat e tjerë. Specialistët e ISHP thonë që ky bakter mund të gjendet edhe në perime e produkte të tjera, ndaj rekomandohet larja mirë e tyre dhe gatimi në temperaturë të lartë. Por në rastin e salsiçeve, produkte paragatuara, ato nuk duhen konsumuar deri në një njoftim të dytë, ndërsa për produktet e ngjashme me to, duhet respektuar afati i përdorimit.