Kurti sqaron deklaratën për luftën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një debat të fortë me përfaqësues të opozitës në Kuvend. Atij iu kërkua llogari për deklaratat e shpeshta se vendi rrezikohet nga një luftë dhe iu bë thirrje që të gjejë zgjidhje për të zhbllokuar sistemin arsimor nga greva.
Time Kadrijaj, deputete e AAK, u shpreh: “Kryeministër gjej zgjidhje, në vend që të frikësosh popullin me deklaratat e tua se do të ketë luftë në Ballkan dhe vëmendja të shpërqendrohet nga greva”.
Lidhur me këtë dha një sqarim nga foltorja e Kuvendit: “S’kam thënë që do të ketë luftë, por kam thënë që mund të ketë luftë. Vetëm një moment, unë kam thënë mund të ketë luftë. Por, nga ana tjetër, është papërgjegjësi që unë si kryeministër, kur i ke 48 baza ofensive rrotull Kosovës, të them që nuk do të ketë kurrë luftë”.
Ligjvënësit e PDK, LDK dhe AAK kritikuan kreun e qeverisë për qasjen e tij karshi grevistëve, madje pati dhe thirrje që Kurti të kthehej pak në të kaluarën e tij. Ferat Shala, deputet i PDK, deklaroi: “Një Albin Kurti që e pashë shumë pedant, zyrtar, i cili s’ka lënë asnjë zyrtar grevist, sindikalist, politikan pa fyer dhe denigruar, pa lagur me ujë dhe gjuajtur gaz lotsjellës e gjithçka tjetër. Shumë m’u ke bërë zyrtar me sindikatat, lëshohu pak në të kaluarën tënde”.
Përgjigjja e kryeministrit ishte kjo: “Unë nuk kam qenë kurrë radikal për nga karakteri, por nga tema. Arsyeja pse s’ka nevojë të jem radikal nuk është se jam bërë kryeministër, pro sepse nuk është “zajednica” duke u ratifikuar këtu”.
Debati u zhvillua teksa në Prishtinë u mbajt një manifestim nga Këshilli i Prindërve, në kërkim të fillimit sa më shpejt të vitit të ri shkollor. Thirrja e tyre “Hapni çerdhet” u drejtua fillimisht pranë kryeministrisë dhe më pas edhe në zyrat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Viti i ri shkollor në Kosovë duhej të niste më 1 shtator, por ende nuk ka filluar pas një greve të sindikatave që kërkojnë nga qeveria të përfshijë personelin arsimor në skemën e rritjes së pagave.