Paketa anti-krizë, Qeveria miraton vendimet, rritet ndihma ekonomike

Publikuar më: 22/9/2022, ora 10:11

Paketa anti-krizë, Qeveria miraton vendimet, rritet ndihma ekonomike

Publikuar më: 22/9/2022, ora 10:11

Këshilli i Ministrave ka miratuar masat e Paketës së dytë të Rezistencës Sociale që lidhen me ndihmën ekonomike. Vendimet prekin rreth 64 mijë qytetarë, të cilët sipas kategorive do të përfitojnë nga 10% rritje, deri në dyfishim të mbështetjes financiare.

“Nga data 1 tetori rritet me 10% masa e pagesës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet, të cilat janë përfituese nga programi i asistencës sociale. Gjithashtu dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare që kanë dy fëmijë. Nga ana tjetër kemi vendosur të dyfishojmë gjithashtu pagesën e ndihmës ekonomike për të moshuarit të cilët janë pa pension pleqërie apo pa pension social”, tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Për të verbrit dhe personat me aftësi të kufizuar do të rritet masa e mbështetjes për kompensimin e energjisë elektrike. “Një tjetër vendim i rëndësishëm sot është marrë nga qeveria në lidhje me mbështetjen për energjinë elektrike, për kompensimin e masës së ndihmës për energjinë elektrike për personat të cilët kanë status të aftësisë së kufizuar paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, të cilëve u rritet masa e mbështetjes për kompensimin për energjinë elektrike. Kjo masë mbështetjeje për personat me aftësi të kufizuar para dhe tetraplegjikë që e kanë këtë masë mbështetjeje nga statusi dhe gjithashtu për personat e verbër të kategorisë së parë kjo masë mbështetjeje shkon nga 2,000 lekë të reja që është aktualisht, në 3000 lekë të reja. Ndërsa për sa i përket personave të cilët kanë status të verbër të kategorisë së dytë nga 1400 lekë të reja që është sot, shkon në 2400 lekë të reja”, shtoi ajo.

Personave me aftësi të kufizuar gjithashtu do t’u indeksohet dhe mbështetja mujore me 7,5%. Nga ky vendim përfitojnë rreth 90 000 persona.