Provokimi në parlament, Berisha ulet mes socialistëve dhe bën thirrje për grevë të përgjithshme

Publikuar më: 22/9/2022, ora 17:04

Provokimi në parlament, Berisha ulet mes socialistëve dhe bën thirrje për grevë të përgjithshme

Publikuar më: 22/9/2022, ora 17:04

Si asnjëherë më parë Sali Berisha zgjodhi të priste radhën për të marrë fjalën në foltoren e Kuvendit i ulur në krahun e socialistëve, zgjedhje të cilën kryedemokrati e shpjegoi po vetë.

“Zgjodha të ulesha aty sepse unë përfaqësoj socialistët”, tha Berisha.

Veprimi i kryetarit të PD u mor si një provokim nga Kreu i Grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

“Provokim i një njeriu të ulët që turp nuk ka më, burrëri nuk ka pasur kurrë, nuk ka ndodhur ndonjëherë që unë të ulem në rreshtin tuaj kërkon sherr e luftë sa herë i jepet mundësia. Ne nuk bëmë asnjë reagim se menduam burrë i vjetër nuk qëndron dot në këmbë Menduam se e kishte nga mosha nevojën për t’u ulur. Socialistëve ky njeriu nuk i afrohet kurrë”, tha Balla.

Përpos mesazhit që pati për socialistët, Berisha bëri një thirrje për të gjithë shtresat e shoqërisë që të organizohen në grevë të përgjithshme kundër qeverisë.

“U bëj thirrje sindikatave, shkëputuni nga plogështia juaj dhe të organizojmë grevën e përgjithshme, e cila është grevë për dinjitetin e secilit në radhë të parë. U bëj thirrje mjekëve, bluzëbardhëve,  që shohin rrënimin e sistemit shëndetësor. Mjekë të shkëlqyer që largohen nga vendi, infermierë që ikin. Të gjitha këto sepse janë njerëzit më të keqpaguar, më të keqtrajtuar, më të keqvlerësuar. Atëherë cila mbetet? Greva, greva dhe para së gjithash greva. I drejtohem këtu biznesit të vogël, që ka një armik të vërtetë në këtë qeveri, e cila pret fundin për dy muaj që t’u vendosë 23 përqindëshin, e cila rriti tarifën e energjisë në 200 lekë. Çfarë presin më? Thirrja e çdo biznesmeni, e fëmijëve të tyre, grave dhe miqve të tyre është: të ulen qepenat, grevë e përgjithshme, grevë e përgjithshme. U bëj thirrje të gjithë studentëve. U bëj thirrje pedagogëve të universiteteve që të ngrihen fuqishëm. U bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës: në grevë dhe vetëm në grevë. Koha po thërret. Ora po vjen”, tha Berisha

Përgjigja i erdhi sërish nga Taulant Balla i cili i solli në vëmendje shpalljen Non Grata nga SHBA dhe Britania e Madhe duke paralajmëruar të njëjtën masë edhe nga Bashkimi Europian.

“Përshëndes rezolutën e KE dhe shpresoj që BE të marrë të njëjtin vendim”.

Debate në seancë pati edhe në lidhje me sulmet kibernetike.

Mazhoranca dhe opozita u përplasën edhe për ecurinë e reformës në drejtësi me demokratët që akuzuan qeverinë për ndërhyrje dhe presion ndaj SPAK.