Arrestohen katër zyrtarë të Universitetit Bujqësor

Publikuar më: 23/9/2022, ora 15:46
ubt 1266x720

Arrestohen katër zyrtarë të Universitetit Bujqësor

Publikuar më: 23/9/2022, ora 15:46

Katër zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Kamzës janë arrestuar me urdhër të Gjykatës së Tiranës, pasi akuzohen për disa vepra penale, si falsifikim, vjedhje dhe shpërdorim detyre.

Në pranga përfunduan

1. A.R. lindur në Dibër dhe banues në Qendër Kamëz

2. T. B., lindur në Librazhd dhe banues në Qendër Kamëz

3. M.M., lindur në Korçë dhe banues në Kodër Kamëz

4. R. S., lindur në Dibër dhe banues në Kodër Kamëz

Prokuroria e kryeqytetit thotë se procedimi penal është regjistruar pasi shtetasi A.Ç., është paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore duke kallëzuar se: “Është i punësuar prej rreth 10 vitesh si magazinier në Universitetin Bujqësor Kamëz. Aktualisht drejtori i tij është shtetasi A.R. Më datë 29.12.2021 i është komunikuar nga drejtori, për tu paraqitur në magazinë për të tërhequr dokumentacionin e datës 23.12.2021 mbi plehrat kimike dhe imputet bujqësore. Dokumentacioni kishte lidhje me një tenderim nga ana e subjektit Gjelbërimi sh.p.k. me pronar shtetasin F.Sh”.

Sipas kallëzuesit, marrja në dorëzim e mallit sipas prokurorimit ishte bërë nga komisioni i përbërë nga shtetasit T.B., H.V. dhe K.P. “Kallëzuesi ka pretenduar nga drejtori i tij, se mallrat nuk janë në gjendje sipas procesverbaleve dhe ka marrë si përgjigje se malli do të jetë i pranishëm në magazinë shumë shpejt dhe se kallëzuesi duhet të firmoste daljen e mallit në mirëbesim dhe se kishte garancinë nga drejtori se ky mall do të ishte pjesë e inventarit të magazinës shumë shpejt. Sipas fletëhyrjes në magazinë, vlera e mallit ishte 10.5 milionë. Kallëzuesi në mirëbesim ka nënshkruar fletëhyrjen dhe ka deklaruar se malli për shumën 3.7 milionë lekë nuk është bërë asnjëherë hyrje në magazinë dhe nga kjo shumë, kallëzuesi, po në mirëbesim, ka nënshkruar një fletëdalje për shumën e mallit 1.958.500 lekë. Dalja për këtë vlerë malli, sipas kallëzuesit është bërë nën trysninë e vazhdueshme të shtetasit A.R.

Kallëzuesi nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2021 ka tentuar shumë herë të komunikojë me A.R. dhe persona të tjerë duke përfshirë dhe Rektorin e Universitetit Bujqësor Kamëz, emrin e të cilit sipas kallëzuesit, e ka përdorur shpesh A.R., si mbrojtje për situatën e krijuar dhe për mungesën e mallit në magazinë, për hyrjen dhe daljen fiktive të mallit”.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se këta shtetas kanë konsumuar elementet e veprave penale të parashikuara nga nenet 135 dhe 186 të K.Penal. Ky dyshim mbështetet në: aktet e ndodhura në fashikullin e hetimit nr.6199/2022 që janë bashkëlidhur kërkesës.

Masa e sigurimit arrest në burg çmohet si masë sigurimi e përshtatshme në raport me rëndësinë e faktit dhe  rrezikshmërinë e veprës penale sanksionit të parashikuar. Të pandehurit me veprimet e tyre aktive dyshohet se i kanë sjellë dëm interesave të shtetit, duke përvetësuar plehrat kimike në vlera të konsiderueshme dhe duke falsifikuar dokumentacionin për hyrjen dhe daljen fiktive të këtyre imputeve bujqësore dhe plehrave kimike në magazinat e Fermës Didaktike të Universitetit Bujqësor Kamëz”, thotë Prokuroria.