Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Shtrenjtohet energjia elektrike, preken 71 000 familje

Nga A2 CNN
23 Shtator 2022, 16:46 | Ekonomi
Shtrenjtohet energjia elektrike, preken 71 000 familje

Të gjithë familjet që normalisht në dimër shpenzojnë edhe më shumë se 800 kilovatorë energji, pjesën mbi këtë fashë do ta paguajnë 4 herë më shtrenjtë.

Vendimin e shpallur më herët nga qeveria e zyrtarizoi Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në mbledhjen e së premtes, pas kërkesës së Furnizuesit të Shërbimit Universal.

Nga 1 tetori e deri më 31 dhjetor, çmimi i energjisë për konsumin mbi 800 kilovatorë në muaj do të jetë 42 lekë pa TVSH ose 50,4 lekë, duke përfshirë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Rrjedhimisht, nëse dimrin e shkuar për një faturë me 900 kilovat/orë energji elektrike të harxhuar keni paguar 10 260 lekë, këtë vit do të paguani 15 300 lekë. Nëse konsumi ka qenë 1 mijë kilovat/orë dhe keni paguar 11 400 lekë, do të paguani 19 200 lekë. Edhe më tej zgjerohet diferenca nëse sasia e energjisë së harxhuar rritet.

Miratimi i tarifave të reja u votua unanimisht nga anëtarët e Entit Rregullator të Energjisë, ndërsa e vetmja që kundërshtoi vendimin ishte deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Ndërkohë, nga rreth 44 000 familje që do të prekeshin nga tarifimi me dy fasha sipas qeverisë, shifra pritet të gati dyfishohet në muajin nëntor sipas përllogaritjeve të Furnizuesit të Shërbimit Universal, duke e çuar në më shumë se 71 000.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani