Qeveria mbyll kolegjin turk, nxënësit në protestë. Institucioni nis betejën ligjore
Vendimi i qeverisë për mbylljen e kolegjit turk në Tiranë “Mehmet Akif” ka nxjerrë në protestë nxënësit e shkollës. Të rinjtë kërkojnë vijimin e mësimit, ndërsa nuk pranojnë largimin nga kjo shkollë. Gjatë protestës nxënësit kanë publikuar çmimet dhe medaljet e arit të firmosura nga kryeministri Edi Rama për nxënës të këtij Kolegji. Në vlerësimet e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit ky institucion është renditur ndër shkollat më të mira jopublike në vend. Por ministrja Evis Kushi nga profili i saj në Facebook sqaron se mbyllja e shkollës behët për shkak të zhvillimit të mësimit në ambiente të pamiratuara. Drejtues të Kolegjit Turk thonë se prej tre muajsh presin miratimin e lejes për godinën e re pranë mbikalimit të Kamzës. Ndërsa inspektimet e Ministrisë nuk kanë gjetur probleme për vijimin e mësimit.
Kolgji Mehmet Akif, pjesë e fondacionit “Gulistan” do të nisë betejën ligjore.
Të njëjtën rrugë do të ndjekë edhe kopshti i sapombyllur i kolegjeve “Turgut Ozal”. Edhe ky institucion me 250 fëmijë mbyllet nga Ministria e arsimit me argumentin se nuk janë miratuar ambientet ku kopshti funksionon që prej vitit 2004.
Përfaqësuesit ligjorë sqarojnë se pas ndryshimit të ligjit të arsimit parauniveristar i cili detyron përcaktimin e vendndodhjes se institucionit, kanë aplikuar për leje por nuk kanë marrë përgjigje.
Vendimi i qeverisë shqiptare për të mbyllur kolegjin e fondacionit “Gulistan” vjen 9 muaj nga thirrja paralajmëruese e presidentit turk, nga foltorja e parlamentit shqiptar. Erdogan kushtëzoi vizitën e radhës në Shqipëri nëse nuk do shohë vendime konkrete.