Sa janë dhe si jetojnë shqiptarët në Kroaci?

Publikuar më: 23/9/2022, ora 12:51

Sa janë dhe si jetojnë shqiptarët në Kroaci?

Publikuar më: 23/9/2022, ora 12:51

Shqiptarët që jetojnë në Kroaci mund të përfitojnë së afërmi nga njohja e pensioneve. Në fillim të muajit, një hap u bë edhe për njohjen e viteve të punës në Greqi, ndërsa marrëveshja me Italinë në shkurt pritet të vihet së shpejti në zbatim. Nga këto marrëveshje do të përfitojnë gati 1 milion emigrantë shqiptarë.

“Kjo është për t’u përgëzuar, për arsye se kemi një numër të madh shqiptarësh që punojnë në Kroaci. Sipas të dhënave të fundit, janë 5000 shqiptarë dhe numri është në rritje. Sipas ligjit kroat, ata do të kenë mundësi që vitet e punës që kanë kaluar në Kroaci, t’u pranohen kur të dalin në pension”, tha në Ditarin e A2 CNN, Ermina Lekaj, deputete në Parlamentin e Kroacisë.

Sipas saj, në Kroaci punojnë edhe 8900 shqiptarë të Kosovës, si dhe 3200 shtetas nga Maqedonia e Veriut, mes të cilëve shqiptarë dhe maqedonas. “Në vitin 2011 kemi qenë rreth 17 mijë, kurse tanimë jemi rreth 13 mijë”, thotë Lekaj. “Nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë që të regjistrohen. Këtu bëhet fjalë për shtetas shqiptarë të cilët kanë emigruar nga Kroacia në perëndim, ndërsa mund të ketë edhe të deklaruar në ndonjë kombësi tjetër, e kanë ndjerë veten kroatë. Tani kemi rreth 3600 shqiptarë më pak. Realisht me numër jemi më shumë, mirëpo është çështja se një numër i madh i shqiptarëve dhe numër i madh i kroatëve kanë shkuar në vendet e Europës që prej futjes së vendit në BE. Këtu problemi është edhe te pakicat dhe shtetasit e tjerë”.

Pavarësisht largimeve, Lekaj thotë se gjendja ekonomike e shqiptarëve është e mirë. “Shqiptarët në Kroaci jetojnë mirë, nuk kanë nevojë për asistencë sociale. Të gjithë merren me biznese të ndryshme, kemi fëmijët që kanë lindur këtu, të cilët janë duke u shkolluar këtu. Jemi një komunitet me të vërtetë punëtor dhe nuk kemi nevojë që dikush tjetër të na shtrijë dorën”, tha ajo.