Valteri depoziton prova shtesë për Metën, Kraja “hermetik”

Publikuar më: 23/9/2022, ora 15:35

Valteri depoziton prova shtesë për Metën, Kraja “hermetik”

Publikuar më: 23/9/2022, ora 15:35

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, nuk ndau detaje për ecurinë e hetimit të SPAK ndaj kallëzimeve të bëra së fundmi kundër ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta.

“Janë në hetim dhe po vazhdojnë hetimet. Duke mbledhur prova”, tha Kraja.

Nga ana tjetër, ish-deputeti Halit Valteri, firmën e të cilit mbajnë një nga kallëzimet kundër ish-presidentit Meta, u paraqit sërish në SPAK, sipas tij, për të depozituar prova shtesë.

“Ka kontrata të firmosura nga vetë Ilir Meta me kompaninë lobuese “Dutko”, ku e çon të gjithë totalin e pagesave të lobimit në rreth 1,2 milionë dollarë të paguara nga taksat e shqiptarëve për të bërë pagesa lobimi në SHBA”, tha Valteri.

Sipas ish-deputetit, me provat e paraqitura dhe letërporositë e dërguara, SPAK duhet të vendosë Metën para drejtësisë.

“Për mendimin tim, SPAK nuk ka se çfarë pret më dhe e inkurajoj, për atë që presin gjithë shqiptarët, arrestimin e Ilir Metës”.

Prej muajit qershor, SPAK po heton tri kallëzime ndaj ish-presidentit Meta, aktualisht drejtues i Partisë së Lirisë dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, për akuzat e “korrupsionit”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes së pasurisë”.

Kallëzuesi Valteri ngriti dyshime për pagesash kontrata lobimi 700 mijë dollarë në SHBA, që i paraprinë fushatës zgjedhore të vitit 2017, të padeklaruara nga LSI-ja, që janë financuar mes kompanive offshore në Qipro. Më vonë, Meta u kallëzua nga gazetari Adriatik Doçi dhe nga avokati Idajet Beqiri.