Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Zgjedhjet parlamentare në Itali, profilet e disa prej protagonistëve, "fashistja" favorite

Nga A2 CNN
23 Shtator 2022, 15:46 | Bota
Zgjedhjet parlamentare në Itali, profilet e disa prej protagonistëve,

Italia voton në zgjedhjet kombëtare, këtë të diel, pasi qeveria e unitetit kombëtar të kryeministrit Mario Draghi u rrëzua nga grindjet e brendshme partiake në korrik. Sondazhet kanë treguar vazhdimisht se një koalicion i djathtë i udhëhequr nga partia nacionaliste “Fratelli D’Italia” dhe që përfshin partinë “Lega” dhe “Forza Italia” është në rrugën e duhur për një fitore të qartë. Por kush pritet të jenë protagonistët e këtyre zgjedhjeve? Italia në fakt mund të ketë për herë të parë një grua në postin e kryeministrit, dhe ajo është liderja e “Fratelli D’Italia”, Giorgia Meloni.

45-vjeçarja, është një ish-aktiviste e ekstremit të djathtë nga Roma, e cila ka fituar popullaritet së fundmi për shkak të politikave të saj të përziera: mbështet NATO-n dhe sanksionet perëndimore kundër Rusisë, por edhe një lehtësim i barrës së rëndë ekonomike për qytetarët. Kjo ka ndikuar në lehtësimin e shqetësimeve për të kaluarën e Melonit, pasi ka qenë pjesë e një grupimi politik të krijuar nga mbështetësit e diktatorit fashist, Benito Musolini.

Shpesh janë ngritur dyshime dhe akuza ndaj saj për një nostalgji të mundshme për epokën fashiste, por që janë hedhur poshtë nga vetë Meloni. Rritjen e madhe politike e mori në anëtarësinë e partisë së ish-kryeministrit, Silvio Berlusconi, të cilit i mori disa anëtarë të rëndësishëm për të formuar partinë që drejton aktualisht.

Ndërkohë, edhe “gjiganti” i moshuar Berlusconi kërkon një rol kryesor në zgjedhjet e Italisë. Duke hequr dorë nga pleqëria, sëmundjet, skandalet seksuale dhe një dënim penal, “plaku i ri” është më i përgatituri nga të gjithë me premtime tepër bujare për popullin, duke nisur nga pensionet mbi 1 mijë euro. Berlusconi, i cili drejtoi për herë të parë Italinë në 1994, u shkarkua gjerësisht pasi qeveria e tij e fundit u fundos 11 vjet më parë nga një krizë borxhi dhe skandali mbi festat e tij seksuale.

Ai ka tentuar pa sukses për t'u bërë kreu i shtetit në janar dhe mund të jetë në garë për kryetar të Senatit në parlamentin e ri. Edhe pa një rol formal, ai do të jetë aktiv në prapaskenë në përpjekje për të ndikuar në politikën e qeverisë. Një tjetër emër jo pak i rëndësishëm në këtë garë, pritet të jetë Matteo Salvini. 49-vjeçari, e rindërtoi partinë nga shkatërrimi i afërt kur mori përgjegjësinë nëntë vjet më parë, duke zëvendësuar thirrjet e vjetra të betejës për pavarësinë me parullën “Italianët në radhë të parë” dhe duke zëvendësuar thirrjet kundër Romës me fyerjet e drejtuara ndaj Brukselit. Strategjia e tij dukej se funksionoi, me Legën që formoi një qeveri koalicioni në 2018 dhe vetë Salvini u bë ministër i Brendshëm.

Kjo parti fillimisht ishte e rrënjosur në veriun e pasur, me liderin e atëhershëm Umberto Bossi që kërkonte shkëputjen nga jugu më i varfër. Salvini hoqi në mënyrë të diskutueshme fjalën "verior" nga emri i partisë dhe shtyu të krijonte një forcë kombëtare, një vendim që mërziti shumë prej mbështetësve të vjetër.

Së bashku, “Fratelli D’Italia”, “Lega” dhe “Forza Italia” pritet të marrin një mazhorancë të qëndrueshme, me partinë e Melonit që parashikohet të marrë rreth 25% të votave, Salvini në rreth 12% dhe Berlusconi në vetëm 8% të votave.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani