Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Fuqia punëtorë e grave mbetet e ulët, rekomandohet krijimi i një klime më miqësore me familjen

Nga A2 CNN
29 Shtator 2022, 13:45 | Aktualitet
Fuqia punëtorë e grave mbetet e ulët, rekomandohet krijimi i

Gratë janë ato që vijojnë të kujdesen në pjesën më të madhe ndaj familjes dhe shtëpisë duke vendosur këtë prioritet, dhe jo karrierën apo punësimin e tyre. Ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare të popullsisë në studimet e tyre evidentojnë faktin se përkushtimi ndaj familjes, fëmijëve dhe punëve të shtëpisë kanë bërë që gratë mos hyjnë kurrë në fuqinë punëtore.

Për të nxitur politikat miqësore me familjen UNFPA Albania është bërë pjesë e projektit rajonal “Më shumë zgjedhje”: “Politikat Familjare të Përgjegjshme Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”. Sipas studimit të zhvilluar prej saj, gjetjet tregojnë se në total vetëm gjysma e bizneseve ka dëgjuar për politikat miqësore me familjen. Të dhënat tregojnë se kompanitë që operojnë në Tiranë dhe kompanitë e mëdha kanë më tepër njohuri rreth tyre.

Në Evropën Lindore, në veçanti, pjesa e grave në fuqinë punëtore është e ulët, përgjithësisht nën 50 për qind. Lidhur me këtë, Florence Bauer, drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore u shpreh se është koha për të rrëzuar barrierat që i pengojnë gratë dhe burrat të kenë karrierën dhe numrin e fëmijëve që ata duan.

Që gratë të integrohen në shoqëri, të kenë një punë, por gjithashtu dhe një familje rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet politikave që vetë familja ka duke ndihmuar kështu që si gratë ashtu edhe burrat të përmbushin përgjegjësitë e tyre në shtëpi po ashtu edhe në punë.

Ndikim të drejtpërdrejtë kanë qeveritë, por edhe sektori privat. Leja prindërore e paguar mirë për gratë dhe burrat, shtesa e kujdesit dhe legjislacionin kundër diskriminimit që mbron gratë shtatzëna, marrëveshjet e punës me orar fleksibël për punonjësit, hapësirat e dedikuara në vendin e punës për nënat në gji dhe ambientet e kujdesit për fëmijët e vegjël ndihmojnë që nënat jo vetëm të përkushtohen ndaj familjes, por njëkohësisht edhe të punojnë.

Në anën tjetër, bizneset përfitojnë nga morali më i madh i stafit dhe nivelet më të ulëta të mungesave, qarkullimit dhe kostove të rekrutimit, të cilat sjellin produktivitet dhe të ardhura më të mëdha.

“Politikat familjare mund t'i ndihmojnë njerëzit të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë dhe ta bëjnë më të lehtë për gratë t'i bashkohen fuqisë punëtore – të dyja janë të dëshirueshme nga perspektiva individuale e të drejtave të njeriut dhe gjithashtu sepse i ndihmon vendet të zbusin efektet e ndryshimeve demografike,” tha zonja Bauer.

Por që politikat familjare të kenë këtë efekt, ato duhet t'u përgjigjen nevojave të grave dhe të marrin parasysh diversitetin e familjeve moderne. Këto politika të mirë-projektuara, janë një element kyç i çdo përgjigjeje të suksesshme ndaj sfidave demografike me të cilat përballet Evropa.

A2 CNN Livestream

Dita jonë