Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Ish-presidentët e Shqipërisë shkojnë në Hagë

Nga A2 CNN
29 Shtator 2022, 19:05 | Kosova
Ish-presidentët e Shqipërisë shkojnë në Hagë

Ish presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, si dhe ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko kanë zhvilluar një vizitë në Hagë ku u takuan me ish-drejtuesit e luftës së UÇK, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin të cilët prej muajsh qëndrojnë në paraburgim në pritje të vendimit të gjykatës për akuzat e ngritur ndaj tyre për krime lufte.

Në përfundim të vizitës së organizuar nga Behgjet Pacolli, ish-presidentët deklaruan se qëllimi i tyre ishte të tregonin mbështetje për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Alfred Moisiut, liderët e Kosovës po mbahen padrejtësisht në burg, me disa prova të fabrikuara.

“Ne erdhëm për t’i takuar, për t’i inkurajuar miqtë dhe shokët tanë të cilët po bëjnë një burgim te padrejtë për mua dhe shokët e mijë, por kështu paska qenë shkruar kjo punë. Sigurisht me qëllimin kryesor për të treguar se ne mbështesim luftën e UÇK-së, lufta e shqiptarëve të Kosovës ka qenë një luftë për liri, pavarësi, drejtësi, për t’u shkëputur nga skllavëria serbe shekullore dhe sigurisht nuk ka qenë aspak lutë terroriste siç po përpiqen për ta kthyer, për ta argumentuar se qëllimi i saj ka qenë terrorizmi që nuk është aspak e vërtetë. Ne mendojmë që në fund drejtësia do të fitojë, do të dalë e drejta, taksirat e këtyre drejtuesve të UÇK-së të vuajnë, kanë dy vjet aty e nuk dihet sa do vazhdojë akoma, sepse kanë dy vjet dhe akoma nuk e kanë formuluar akuzën pra janë në kërkim, në kërkim të një gjëje që nuk ekziston sepse nuk kanë pasur asgjë me terrorizmin”, tha Moisiu.

Ish-presidenti Rexhep Meidani tha se historinë nuk mund ta ndryshojnë prokurorët dhe gjykatësit derisa përmendi okupimin e dikurshëm serb në Kosovë dhe luftën e UÇK-së për çlirim.

“Është një mbështetje, jo vetëm për udhëheqësit kryesorë të shtetit dhe pavarësimit të Kosovës por vizita jonë ishte edhe një mbështetje e luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kundër skllavërimit serb, ishte edhe një luftë e mbështetur nga gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe udhëheqësit kryesor botëror, në luftën jo vetëm për demokraci, por edhe luftën kundër pastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga policia, ushtria dhe trupat paramilitare serbe, tha Meidani.

Ndërsa ish-kryeministri Pandeli Majko tha se kjo është lufta e fundit për drejtuesit e UÇK-së që sipas tij duhet ta bëjnë për ata që janë gjallë dhe ata që nuk jetojnë më.

“Mendojmë që kjo nuk është një dramë personale e atyre që janë në qelitë e këtij burgu, mendojmë që kjo është një dramë kombëtare dhe si e tillë ka praninë tonë këtu. U informuam qe dosja fillon me ngjarjet e vitit 1981 me Jusuf Gërvallën e njohur, në fakt duhet të fillonte me vrasjen e konsullit rus në Mitrovicë 1903, dhe mendoj se kjo që po na ndodh ka sjell një reflektim të jashtëzakonshëm, është lufta e fundit që drejtuesit e UCK-së duhet të bëhen, për ata qe janë gjallë dhe per ata që nuk janë” tha Majko.

Ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 pas konfirmimit të aktakuzës me pretendime për krime lufte dhe kundër njerëzimit, por gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli