Rusia zyrtarizon nesër kufijtë e saj të rinj, anekson 4 rajone të Ukrainës, Putin mban fjalim të gjatë

Publikuar më: 29/9/2022, ora 13:11

Rusia zyrtarizon nesër kufijtë e saj të rinj, anekson 4 rajone të Ukrainës, Putin mban fjalim të gjatë

Publikuar më: 29/9/2022, ora 13:11

Rusia do të zyrtarizojë gjatë së premtes, kufirin e saj të ri. Në një ceremoni që do të mbahet në Moskë, presidenti Vladimir Putin, do të firmosë aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës, pas organizimit të referendumeve, të konsideruara gjerësisht një farsë.

Konfirmimin e bëri zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu përgjigjur kërkesave formale të liderëve të vetëshpallur të Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhia dhe Kerson, për t’ju bashkuar Federatës Ruse.

 “Në Pallatin e Madh të Kremlinit, në sallën e Shën Gjergjit, do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve për hyrjen e territoreve të reja në Federatën Ruse. Në këtë aktivitet do të ketë një fjalim voluminoz të presidentit Putin”, deklaroi  Pescov.  

Ndërkohë, në sheshin e Kuq të Moskës, pranë godinës së Kremlinit, është ngritur dhe një skenë, ku pritet të zhvillohet një event për festimin e aneksimit të territorit ukrainas. Ky zhvillim vjen pas shpalljes së rezultateve të referendumeve.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat ruse, qytetarët mbështetën bashkimin me Rusinë me mbi 90 për qind të votave, përveç në Kerson, ku votat pro ishin në nivelin 87 për qind. Por liderët e perëndimit dhe ekspertët e konsiderojnë referendumin të paligjshëm pasi nuk përmbush kriteret bazë dhe shkel haptazi ligjet e Ukrainës dhe ato ndërkombëtare.

Pikërisht për të shprehur qëndrimin kundër aneksimit të territorit dhe referendumeve, presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, do të zhvillojë një bisedë me Putin.