Putin anekson tokën ukrainase: Do ta mbrojmë me çdo mjet

Publikuar më: 30/9/2022, ora 14:28

Putin anekson tokën ukrainase: Do ta mbrojmë me çdo mjet

Publikuar më: 30/9/2022, ora 14:28

Mes brohoritjeve, ovacioneve dhe duartrokitjeve, presidenti Vladimir Putin, zyrtarizoi kufirin e ri të Rusisë. “Vendi ynë ka katër rajone të reja”, tha ai gjatë një ceremonie në Kremlin duke ju referuar Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Kerson. Putin firmosi me liderët e vetëshpallur të këtyre rajoneve dokumentet për pranimin e tyre në Federatën Ruse, duke vlerësuar si demokratike, referendumet e mbajtura në ato territore të Ukrainës.

“Njerëzit bënë zgjedhjen e tyre. Është një zgjedhje e qartë. Sot firmosim marrëveshjet me Republikën Popullore të Donjeckut, të Luhanskut, rajonin e Zaporizhias dhe të Kerson, për t’u bërë pjesë e Rusisë.”

Në fjalimin me gjuhë të ashpër ndaj perëndimit, presidenti rus nuk ngurroi të lëshonte paralajmërime dhe kërcënime, duke sinjalizuar se është I gatshëm të përdorë edhe armët bërthamore. “Autoritetet në Kiev sot duhet ta trajtojë vullnetin e lirë të popullit me respekt dhe në asnjë mënyrë tjetër. Kjo është rruga e vetme drejt paqes. Ne do të mbrojmë tokën tonë duke përdorur të gjitha forcat dhe mjetet që kemi në dispozicion”.

Putin shtriu dorën e negociatave duke kërkuar takime paqeje me Ukrainën, por nënvizoi se statusi i territoreve të aneksuara nuk do të jetë në tryezën e negociatave. Shefi i Kremlinit akuzoi perëndimin  se kërkon ta gjunjëzojë Rusinë dhe dëshiron ta shohë atë si një koloni të vetën.

Më tej, Putin i konsideroi heronj ushtarët rusë të rënë në luftë: “Vdiqën duke luftuar për tokën e tyre”. Ai ju drejtua edhe familjarëve të ushtarëve të mobilizuar në fushatën ushtarake, duke u kërkuar ta kuptojnë se për çfarë po luftojnë. “Dua t’i bëj një apel, pasi ata duhet ta kuptojnë se për çfarë po luftojmë ne. Perëndimi po përpiqet të përçajë Rusinë duke mbështetur Ukrainën në këtë luftë. Perëndimi po mundohet të gjunjëzojë Rusinë me valutat e tij të reja dhe me zhvillimet teknologjike. Nuk e durojnë dot faktin që një shtet kaq i pasur si ne, ekziston. Kemi përballë Perëndimin e pangopur, që kërkon ta kthejë Rusinë në një koloni të vetën. Prandaj po bën një luftë hibride kundër nesh. Nuk duan që të jemi një shoqëri e lirë, por duan që të na shohin si një turmë skllevërish. Ata nuk kanë nevojë për Rusinë, por ne kemi nevojë për Rusinë”.

Duke këmbëngulur se Ukraina është pjesë e Rusisë, ai tha se perëndimi po përpiqet të copëtojë vendin e tij, duke mbështetur Kievin në luftën për pavarësi.