Tërheqja nga vendosja e fashës, Meta: Tregues se nuk ka institucione të pavarura

Publikuar më: 30/9/2022, ora 11:57

Tërheqja nga vendosja e fashës, Meta: Tregues se nuk ka institucione të pavarura

Publikuar më: 30/9/2022, ora 11:57

Droja nga një kosto elektorale në zgjedhjet e ardhshme lokale, sipas Ilit Metës është arsyeja kryesore përse kryeministri Rama vendosi të anulonte vendimin për rritjen e çmimit të energjisë për familjet që konsumojnë me tepër se 800 KWH në muaj.

“Është edhe një frikë përpara zgjedhjeve, për të mos përballuar dot një akt aq arbitrar, kaq antisocial dhe antinjerëzor por me shpresën sipas tij për të kaluar zgjedhjet e për t’ua shtuar ndoshta edhe 5-fish”, tha Meta.

Vendimi i bërë i ditur nga kryeministri Rama, sipas Metës, mes të tjerash është edhe një tregues i rënies së shtetit të së drejtës.

“Ky vendim i marrë, i shpallur dhe i zhbërë në mënyrat më të turpshme, tregon se nuk ekziston shteti i së drejtës dhe nuk ka institucione të pavarura që mbrojnë interesin e qytetarit dhe që bëjnë detyrën. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë, me të dyja vendimet. Është shpallur sot mosekzistenca e ERE-s si institucion i pavarur. Vendimi që mori ERE ishte tërësisht i pabazuar në radhë të parë, pasi u bazua vetëm në vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it. Ndërkohë, zhbërja e vendimit duhej të merrej sërish nga ERE”, deklaroi Meta. “Kjo tregon se në krye të qeverisë kemi një kryeministër provokator ndaj qytetarit dhe taksapaguesit. Në rast se ata nuk reagojnë, në rast se opozita nuk përballet me këto manovra hajdutërie, ai i bën 8-fish dëmet”, shtoi kreu i Partisë së Lirisë.

Kryetari i Partisë së Lirisë sheh si provokim edhe propozimin për amnistinë fiskale që sipas tij dëmton biznesin e ndershëm dhe i hap rrugë legalizimit të krimit në vend. “Në këtë mënyrë mund të dekurajoheshin dhe largoheshin nga vendi edhe ata pak investitorë seriozë që kanë mbetur, do të minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar do dëmtohej bashkëpunimi me vendet partnere dhe do minohej procesi i integrimit”.

Meta foli edhe për takimin me ambasadoren Yuri Kim në selinë e Partisë së Lirisë ku theksoi se partneriteti i forcës politike që ai drejton me SHBA nuk cenon marrëdhënien me Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.