Putin kërcënon Perëndimin, Biden: Nuk na frikëson, gati të mbrojmë territorin e NATO

Publikuar më: 1/10/2022, ora 15:34

Putin kërcënon Perëndimin, Biden: Nuk na frikëson, gati të mbrojmë territorin e NATO

Publikuar më: 1/10/2022, ora 15:34

Shtetet e Bashkuara nuk do të intimidohen nga kërcënimet e pamatura, pasi Vladimir Putin shpalli aneksimin e 4 rajoneve të pushtuara në Ukrainë.

Ky ishte reagimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë pas fjalimit të Putin ditën e premte, ku kërcënoi perëndimin se do të përdorë armët bërthamore për të mbrojtur këto rajone. Biden ju drejtua drejtpërdrejtë homologut rus duke drejtuar gishtin nga kamera.

“Ne jemi plotësisht të përgatitur të mbrojmë, e përsëri, Amerika është plotësisht e përgatitur të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO, çdo centimetër. Kështu Putin mos e keqkupto atë që po them. Çdo centimetër”, tha Biden.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha së lëvizja e fundit e Rusisë shënonte përshkallëzimin më serioz që prej fillimit të luftës.

“Ajo që kemi parë gjatë javëve apo ditëve të fundit shënon përshkallëzimin më serioz të konfliktit që prej nisjes së luftës ruse më 24 shkurt. Kemi një ndërthyerje të mobilizimit të rezervistëve në rusi me retoriken e rrezikshme dhe tani aneksimin e paligjshëm të territoreve”, tha Stoltenberg.

Në fjalimin plot mllef të mbajtur në pallatin e Kremlinit, presidenti Putin tha se qytetarët në rajonet e Donestk, Luhank, Kherson dhe Zaporizhia kishin votuar për të qenë me bashkatdhetarët e tokës mëmë, dhe se tani e tutje do të ishin shtetas rusë. Në atë që u duk të jetë një kërcënim ndaj perëndimit, Putin tha se shtetet e bashkuara kishin krijuar precedentin e përdorimit të armëve bërthamore në Japoni. Më vonë gjatë një koncerti të mbajtur në sheshin e kuq, për të festuar aneksimin, numri një i Kremlinit u zotua se Rusia do të arrijë fitoren në Ukrainë.

“Ne jemi bërë më të fortë sepse jemi së bashku. E vërteta është në anën tonë; fitorja do të jetë e jona”, u shpreh Putin. Presidentja e komisionit europian Ursula vonder Leyen tha se aneksimi I shpallur nga Putin nuk do të ndryshojë asgjë, ndërsa Turqia e përshkroi lëvizjen si një shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.