Borisov fiton zgjedhjet në Bullgari, në dyshim formimi i qeverisë

Publikuar më: 3/10/2022, ora 08:23

Borisov fiton zgjedhjet në Bullgari, në dyshim formimi i qeverisë

Publikuar më: 3/10/2022, ora 08:23

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Bullgari nuk zgjidhën sërish ngërçin politik. Partia e djathtë GERB, e fajësuar për korrupsion të vazhdueshëm ndër vite, rezultoi forcë e parë sipas rezultateve paraprake me 25.4 për qind të votave. Por kjo parti do ta ketë shumë të vështirë për të krijuar një koalicion qeverisës në shtetin më të varfër të Bashkimit Europian. Kjo pasi forca politike që ishte në pushtet Ne Vazhdojmë Ndryshimin, mori 20,2 për qind të votave dhe refuzoi idenë e një bashkëpunimi politik me GERB të ish-kryeministrit Bojko Borisov.

Duket se zgjedhjet parlamentare, të katërtat brenda dy viteve, kanë lodhur tej mase qytetarët, të cilët flasin me zhgënjim të madh për situatën dhe mungesën e bashkëpunimit mes partive.

“Nuk do të jetë një mazhorancë e plotë, por të paktën shpresojmë se do të formohet një qeveri. Nëse jo, do kemi sërish zgjedhje”, tha avokati Vladimir Pergelov. “Mendoj se nuk do të jenë në gjendje të formojnë një qeveri, edhe pse mundësitë i kanë. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi pasi ne jemi në një situatë shumë të vështirë dhe na duhet stabilitet”, tha Viktor Velichkov, programues.

Nga partitë e mbetura, me të cilat GERB dhe aleatët e SDS mund të formojnë koalicion janë: Lëvizja për të Drejta dhe Liri me 13.7 për qind të votave, Vazrazhdane me 10 për qind, BSP për Bullgarinë me 9.3 për qind dhe Ngritja Bullgare me 4.6 për qind. Ndërkohë, zhgënjimi i qytetarëve ndaj klasës politike është konfirmuar edhe nga pjesëmarrja në këto zgjedhje, e cila ishte në nivelin më të ulët në 32 vitet e fundit.