Grusht shteti në Afrikë, në rrugë valëviten flamujt… rusë

Publikuar më: 3/10/2022, ora 23:09

Grusht shteti në Afrikë, në rrugë valëviten flamujt… rusë

Publikuar më: 3/10/2022, ora 23:09

Në një moment ku e gjithë vëmendja e botës është e fokusuar te konflikti në Ukrainë, ku për herë të parë nga kriza e Kubës gjatë Luftës së Ftohtë flitet për mundësinë e një sulmi bërthamor, ngjarjet në një nga vendet më të varfra të Afrikës mund të mos jenë nën llupën e opinionit publik.

Gjithsesi, grushti i shtetit që ka ndodhur në Burkina Faso ditët e fundit mund të ketë sërish Rusinë si protagoniste.

Ishin pikërisht flamuj rusë ato që valëviteshin në rrugët e kryeqytetit Uagadogo, me kalimin e forcave ushtarake që rrëzuan qeverinë e Paul-Henri Sandaogo Damiba, i cili kishte marrë pushtetin pikërisht me një grusht shteti në  janar.

Po pse vendi afrikan rrezikon të afrohet me Moskën, në një moment ku pothuajse çdo vend perëndimor është kundra politikave të Kremlinit? Përgjigja ndodhet në veri të vendit, dhe janë organizatat xhihadiste që kontrollojnë ato zona duke terrorizuar popullsinë dhe duke vrarë dhjetëra ushtarë. Pikërisht 11 prej tyre u vranë javën e kaluar, duke shkaktuar revoltën e ushtarakëve të asaj zone, të kontrolluar nga Ibrahim Traore, një oficer deri pak ditë më parë pothuajse i panjohur edhe në atë vend, dhe që tani kryeson juntën ushtarake që do të drejtojë vendin.  

Në luftën kundër xhihadistëve, forcat e vendit afrikan kanë gjetur një aleat të vlefshëm në elementët e grupit paramilitar Wagner, që shumë mendojnë se vepron me urdhër direkt të Putin.  Jo më kot, themeluesi i Wagner, Evgenij Priozhin, mbështeti në rrjetet sociale lidershipin e ri.

Afrimi i Burkina Fasos me Rusinë, ashtu siç po ndodh edhe në Mali, shkon paralelisht me një ndjenjë të fortë anti-franceze, vendi që ka kolonizuar gjatë shekullit të 20-të dhe që ka ende peshë në vendimmarrjen e këtyre vendeve. Një ndjenje anti-koloniale, si dhe premtimi i investimeve masive, ka qene çelësi që ka mundësuar hyrjen në atë kontinent të një tjetër fuqie si Kina.

Sesi ekzekutivi i ri do të përballet me vështirësitë e qeverisjes, kjo nuk dihet. Në mbledhjen  e parë qeveritare, Traore nuk arriti t’i përgjigjej pyetjeve të drejtuara, nga rihapja e shkollave tek tenderat e ndryshme, sepse nuk kishte njohuri mbi asnjë nga këto çështje.