Izraeli vendos armën e telekomanduar për shpërndarjen e turmave

Publikuar më: 3/10/2022, ora 13:43

Izraeli vendos armën e telekomanduar për shpërndarjen e turmave

Publikuar më: 3/10/2022, ora 13:43

Ushtria izraelite ka instaluar në ditët e fundit një armë të kontrolluar në distancë në Bregun Perëndimor, për t’u përdorur në shpërndarjen e turmave. Sipas Reuters, arma, e cila qëllon plumba jovdekjeprurës, është instaluar pas trazirave të shkaktuara nga popullsia palestineze në zonë.

Arma në fjalë është vendosur në një prej pikëkalimeve më të populluar, të cilin palestinezët e përdorin për t’u futur në pjesën e vjetër të qytetit Hebron.

Ushtria tha se arma është projektuar për të qëlluar me plumba gome. “Si pjesë e përpjekjes për të përmirësuar përgatitjet operacionale kundër protestuesve në zonë, po ekzaminohet mundësia për të përdorur një sistem të kontrolluar në distancë për shpërndarjen e turmave. Duhet theksuar se sistemi nuk përmban përdorimin e plumbave të vërtetë”, tha ushtria në një deklaratë.

Qyteti ndodhet rreth 30 kilometra në jug të Jerusalemit. Është qyteti i tretë më i madh i Palestinës, me një popullsi prej mbi 215 mijë banorë. Aty ndodhet edhe Shpella e Patriarkëve, një vend i shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.