Zbulohen 10 tonë bomba poshtë “qytetit të së ardhmes”

Publikuar më: 3/10/2022, ora 16:37

Zbulohen 10 tonë bomba poshtë “qytetit të së ardhmes”

Publikuar më: 3/10/2022, ora 16:37

Në vendin kur dikur ndodhej aeroporti “Tegel” në periferi të Berlinit, punëtorët vazhdojnë të zbulojnë bomba nga nëntoka. Mbetjet e ushtrisë së dikurshme prusiane dhe ato të dy luftërave botërore janë ende shumë të dukshme aty.

Aeroporti i shtrirë në një sipërfaqe prej 495 hektarësh ishte kryesori për qytetin gjerman në vitet 1970, deri sa u vendos mbyllja e tij në vitin 2020. Që kur nisi puna për rinovimin e tij, në maj 2021, janë zbuluar aty 10 tonë bomba dhe municione.

Por “Tegel” nuk do të qëndrojë edhe për shumë gjatë një “fushë e minuar”, pasi falë një projekti me vlerë 8 miliardë euro, që do të shtrihet përgjatë një dekade, do ta transformojë zonën në një prej qyteteve më të zgjuar të Europës.

Projekti, i pagëzuar “Berlin TXL”, është ideuar si një komunitet miqësor me klimën dhe ambientin, i mbushur me teknologji të rinovueshme, i pajisur edhe me një kampus universitar që do të bëjë të mundur zhvillimin e këtyre teknologjive në të ardhmen.

Nicolas Novotny, drejtor i projektimit dhe zhvillimit të projektit, thotë për CNN se puna ka nisur që në vitin 2012. “Presim që të kemi sfida të ndryshme në shekullin XXI: mungesë burimesh, ndryshime klimatike, krizë energjetike, urbanizim”, shpjegon ai. Për t’i bërë ballë, Novotny thotë se qyteti do të konsumojë energjinë që prodhon vetë.

Godinat do të ngrohen përmes një sistemi tubacionesh të nëndheshme, 12 kilometra të gjatë, që do të marrin energji nga aktivitetet industriale. Gjatë ditëve të nxehta të verës, procesi do të kryhet në krah të kundërt, nxehtësia e godinave do të përdoret për t’u ruajtur në tubacione.

Në zonat rezidenciale, shtëpitë do të ndërtohen me dru të gjetur në pyjet aty pranë. Gjithashtu do të punohet për të krijuar kushtet që kafshët e zonës të kenë mundësi të jetojnë aty. Rrugët do të jenë të gjitha vetëm për këmbësorët dhe robotët që do të shpërndajnë porositë.

Dr. Johanna Sonnenburg, konsulente dhe pedagoge në Qendrën për Studime Metropolitane në Universitetin Teknik të Berlinit, thotë se projekti është një “bizhuteri” në projektet infrastrukturore të Berlinit. Projekti mendohet se do të ketë përfunduar në fund të vitit 2030.