Zbulohet data e kurorëzimit të Mbretit Charles III

Nga A2 CNN
6 Tetor 2022, 18:07 | Bota
Zbulohet data e kurorëzimit të Mbretit Charles III

Mbreti Charles III u bë zyrtarisht monarku i ri i Britanisë së Madhe menjëherë pas vdekjes së nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II. Por ceremonia e kurorëzimit në Ëestminster Abbey, do të bëhet, sipas traditës muaj më vonë.

Në këto javë, si ekspertët mbretërorë ashtu edhe fansat e monarkisë shpesh kanë pyetur veten se kur do të kurorëzohet Mbreti Charles. Dhe tashmë duket se ka një përgjigje.

Burime anonime të Pallatit i kanë thënë “Bloomberg” se data zyrtare e kurorëzimit do të jetë 3 qershori i ardhshëm.

Kurorëzimi i Mbretëreshës Elizabeth II u bë më shumë se një vit pasi ajo mori fronin në shkurt 1952. Ceremonia u zhvillua më 2 qershor 1953 në Westminster Abbey, kur princi i atëhershëm Charles ishte katër vjeç.

70 vjet pas nënës së tij, kurorëzimi i mbretit Charles III do të festojë fillimin e mbretërimit të tij dhe do të jetë pjesa qendrore e ditëve të festivalit Trooping the Color, të cilat zhvillohen gjithmonë në fillim të qershorit.

Burimet zbuluan për mediat britanike se ceremonia ka të ngjarë të jetë më e shkurtër, më e vogël dhe më e lirë se ajo e monarkëve të mëparshëm.

Përveç kësaj, Mbreti Charles III thuhet gjithashtu se kërkoi që kurorëzimi të pasqyronte diversitetin e Britanisë moderne dhe të përfaqësonte komunitete dhe besime të ndryshme që banojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Charles do të jetë monarku i dyzetë që do të kurorëzohet në Ëestminster Abbey. I pari ishte Uilliam Pushtuesi, i kurorëzuar më 25 dhjetor 1066.

Do të jetë një ceremoni anglikane, e kryer nga Kryepeshkopi i Canterbury-t. Gjatë shërbesës, mbreti Charles do të bëjë betimin, do të lyhet me vajra dhe do të marrë globin dhe bastunin, si dhe kurorën e Shën Eduardit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani