Amnistia ndërron udhë, falja po u drejtohet më pak emigrantëve e më shumë biznesit

Publikuar më: 11/10/2022, ora 15:13

Amnistia ndërron udhë, falja po u drejtohet më pak emigrantëve e më shumë biznesit

Publikuar më: 11/10/2022, ora 15:13

Amnistia fiskale po merr një udhë ndryshe nga qëllimi për të cilin lindi. Në vitin 2020, kur qeveria ende ishte në përgatitje të draftit të parë, puna në të zezë e emigrantëve shqiptarë në vendet europiane, u cilësua si përfituesi kryesor.

Por pas kritikave të Komisionit Europian, u kuptua se paratë jashtë Shqipërisë nuk mund të riatdhesohen. Kjo pasi vepra që kërkon të falë qeveria: fshehja e të ardhurave dhe evazioni, është kryer në Europë dhe do të niste menjëherë hetimi pasuror ndaj këtyre individëve. Kështu, forca e këtij ligji, kufizohet vetëm brenda vendit.

Emigrantët e tjerë, që ndër vite kanë punuar dhe grumbulluar para, i kanë shpenzuar këto të ardhura për jetesë, apo për të hapur biznese të vogla e për të ndërtuar shtëpi në fshat. Të tjerë që tentuan të blejnë prona, nuk hasën asnjë pengesë, duke konsideruar se 70% e apartamenteve në vend blihen pa nevojën e një kredie.

Ata që mbeten, në këtë aspekt, me para nën dyshek janë bizneset. Ketë qeveria duket se e kishte ne mendje sapo mori ne dore rezultatet e Këshillimit Kombëtar, pro amnistisë për paratë e emigrantëve. Kryeministri Rama hapi dhe një tjetër rrugë: “Ato që ndër vite kanë operuar me dy bilance. Ato që duke pasur të ardhura të padeklaruara, krahas shmangies së taksave, kanë financuar punën në të zezë dhe kanë lehtësuar praktikat e korrupsionit endemik në administratën publike”, tha Rama pas këshillimit kombëtar.

Ligji ndërkohë nuk lejon që zyrtarët publikë dhe familjarë e tyre të përfitojnë nga amnistia fiskale. Por edhe këtu: moslejimi i nisjes së hetimeve për mënyrën e vënies së pasurisë dhe ajo që FMN cilëson si një administratë të dobët tatimore, është një garant që edhe drejtorët e ministrat mund t’i shpëtojnë lehtësisht këtyre filtrave. E gjitha kjo, në një kohë kur ekonomisë nuk i duhen para shtesë, për shkak të inflacionit të lartë dhe një diskutim që bëhet vetëm pak kohë para zgjedhjeve lokale.