“Jemi sqaruar me Francën”, Sveçla është optimist për liberalizimin e vizave brenda vitit për Kosovën
“Jemi sqaruar me Francën”, Sveçla është optimist për liberalizimin e vizave brenda vitit për Kosovën
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës është optimist për liberalizimin e vizave brenda këtij viti, pavarësisht “kushtit” të ri të propozuar nga Franca, javën e shkuar. Në një intervistë për A2 CNN, ministri Xhelal Sveçla, tha se jo vetëm Franca, por të gjitha shtetet e tjera kanë një qëndrim pozitiv për këtë çështje, e për këtë takimet do të vijojnë së shpejti.
“Unë besoj se shumicën e gjërave me pushtetin e Francës, me autoritetet franceze i kemi sqaruar. Të gjitha argumentet që unë i kam përdorur, kanë qenë të pranueshme nga ata. Tashmë është çështje teknike, këto procedurat të cilat po kërkohen dhe për të cilat unë besoj se do të kemi argumente që të mos ketë vonesa në ofrimin e të drejtave të qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë në zonën Shengen. Unë jam optimist, se jo vetëm Franca, por edhe të gjitha shtetet e BE-së kanë qëndrim pozitiv në raport me këtë çështje. Besoj se ditëve në vazhdim ku do të kemi takime, unë do të jem edhe në Pragë, do të sqarohen këto gjëra”, tha ai.
Sa i përket propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, Sveçla tha se Europa në këtë moment duhet të jetë më e vendosur. Sveçla pranoi se Kosova nuk e ka kontrollin e 100% të territorit në Veri, për shkak të grupimeve kriminale dhe bandave ekstremiste atje. Megjithatë, mes Kosovës e Serbisë pritet marrëveshje për çështjen e targave deri më 31 tetor, me shpresën se nuk do të ketë asnjë përshkallëzim të situatës. “Me njerëz si ata, nuk mund të thuash kurrë se nuk e bëjnë”.
Sa i përket fjalimit të Kryeministrit Edi Rama në Strasburg, ku kërkoi mbështetje për një rezolutë që hedh poshtë akuzat për trafik organesh nga UÇK, Sveçla tha: “Normalisht që kemi diferenca në mendime. Besoj se nuk kemi diferenca në qëllim, por në rrugë e sipër është plotësisht normale që të kemi dallime për qasjen”.