Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

“Zhgënjimi për situatën? I ligjshëm”, Dom Meta: Demokracia jonë është shumë e brishtë dhe kjo shihet

Nga A2 CNN
21 Tetor 2022, 00:23 | Sociale
“Zhgënjimi për situatën? I ligjshëm”, Dom Meta:

Prej viti 2017 dioqeza e Rrëshenit drejtohet nga dom Gjergj Meta. Ipeshkvi 46 -vjeçar është një figurat më të njohura dhe vlerësuara të Kishës Katolike shqiptare, edhe për mendimin e mprehtë dhe mënyrën e tij të jetesës, mes traditës dhe modernitetit.

Ne një intervistë për A2 CNN, ai rrëfen për jetën në Mirditë, pasione te tij për leximin dhe futbollin, por edhe për projektet e zhvillimit të komunitetit, zhgënjimin nga politika dhe qëndrimi i tij ndaj familjes.   

Komunitetin që e rrethon në Rrëshen e përkufizon si “njerëz që kanë shpirtin e sakrificës, me një zgjuarsi të natyrshme, sesi debatojnë, një popull që ka një besim të trashëguar dhe të gjallë, edhe pse e kaluara ka ndikuar mjaft në sensin e besimit”.

Dita e tij reflekton qetësinë larg metropolit kryeqytetas. “Rri në zyre një ose dy ditë të javës, një ditë e kaloj në Tiranë si sekretar i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore. Mbrëmja këtu mbyllet herët, pas orës 5 rrallë sheh njerëz në rrugë, dhe kjo më lejon të lexoj, por kam qejf të ndaj kohën edhe me miqtë e mi”, rrëfen Meta.  

Ai zbulon autorët e tij të preferuar. Autorët e mi të preferuar janë Dostojevski dhe Servantes.  Don Kishoti është një nga librat më të thellë të historisë së letërsisë. Ata të dy ndonjëherë më duken si binjakë. Një zbulim i madh ka qenë Borges, i jashtëzakonshëm, Kafka me pëlqen. Nga shqiptarët, lexoj Martin Camajn dhe Kadare, por kam lexuar dhe takuar Kongolin, Flutura Açka, etj.

Jo çdo pasion i tij  është aq intelektual. “Në futboll, jam tifoz me raste, ndjek botërorin dhe Europianin, të gjithë, por edhe Champions kur i afrohet përfundimit, ndjek të gjitha ekipet e mëdha”, zbulon ai.

Ndërkohë, përreth tij, të rinjtë duken të zhgënjyer në ëndrrat e tyre.  “Ëndrrat e babait tim në fillimin e viteve ‘90,  nuk u realizuan. A është i ligjshëm zhgënjimi? Po, është, kemi jo-seriozitet, një lloj tallje me realitetin, një konfliktualitet i panevojshëm i politikës, jemi në vendet e para për korrupsion, demokracia është shumë e brishtë dhe kjo shihet. Njerëzit me ëndrra zhgënjehen, por nga ana tjetër, çfarë mund të bëjmë ne për ta bërë më të mirë vendin? Ndërkohë, pjesa më e madhe të atyre që mbarojnë fakultetin presin mikun që e fut në administratë, të tjerët presin të ikin jashtë”.

I mungon atij një familje? “E mendoj shpesh, mendoj do të ishte një ndjesi e mrekullueshme të isha prind i një fëmije. Por në momentin qe t’i zgjedh, do të lesh diçka. I shoh me shumë admirim dhe aspak me xhelozi familjet, deri diku nipat dhe mbesat ma japin këtë sensacion të përafërt, edhe pse mendoj se nuk është i plotë. Jetoj shumë me komunitetin dhe falë tyre jam pjesë e familjeve të tyre”, rrëfen peshkopi Meta për A2 CNN.

A2 CNN Livestream

Dita jonë