Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

"Zoja e Këshillit të Mirë" organizon asamblenë e universiteteve katolike, rektori: Jemi me standardet e BE

Nga A2 CNN
21 Tetor 2022, 17:09 | Aktualitet

Dhjetëra rektorë, profesorë dhe studiues të mirënjohur janë mbledhur në Tiranë. Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” organizon ngjarjen më të rëndësishme që bën bashkë universitetet katolike europiane, Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Evropiane të Universiteteve Katolike (FUCE). Federata është themeluar në vitin 1991 dhe përfshin 56 universitete katolike nga 17 vende të Europës dhe 6 universitete nga Libani.

FUCE synon të nxisë hapësirat e dialogut ndërmjet anëtarëve, institucioneve, studiuesve dhe ndërmjet tyre dhe aktorëve të tjerë shoqërorë. Presidenti i Federatës, profesor Michael Mullaney, shprehet i kënaqur që Asambleja u ndal kësaj herë në Shqipërinë e Nënë Terezës, pasi kurioziteti i anëtareve ishte i madh për historinë tonë, por edhe për të parë ambientet bashkëkohore të universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Presidenti i Federatës Evropiane të Universiteteve Katolike (FUCE), profesor Michael Mullaney

Për rektorin e Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” profesor Bruno Giardina, ka një rëndësi të veçantë organizimi i asamblesë së përgjithshme në Tiranë. “Pavarësisht se Shqipëria ende nuk është pjesë e Bashkimit Europian, po i përshtatemi standardeve të unionit”, thotë ai.  

Rektori Giardina thekson se ky event është shumë i rëndësishëm për universitetin katolik "Zoja e Këshillit të Mirë", për sistemin universitar në Shqipëri dhe gjithashtu është sinjal i rëndësishëm për të treguar që ne jemi në Europë, me të njëjtën frymë zhvillimi si unioni.

Ndërsa mons. Angelo Vincenzo Zani, arkivist dhe bibliotekar i Selisë së Shenjtë foli gjerësisht mbi paktin global të edukimit. Gjatë fjalës së tij, përçoi mesazhin e Papa Françeskut për të iniciuar një pakt gjithë botëror për ndryshimin e mentalitetit përmes edukimit.

Rektori i Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, profesor Bruno Giardina

Presidenti i FUCE adresoi një mesazh jo vetëm për universitet katolike europiane por edhe për sistemin universitar shqiptar.

“Vendosni studentet ne qendër. Ai që quhet edukim i mirë lidhet me formimin e njerëzve të mirë, duhet t’i jepni atyre aftësinë dhe kualifikimet që i duhen për karrierën e tyre”, shton për A2 CNN Michael Mullaney.

Ky është një event që ka ardhur pas shumë vitesh punë, angazhim dhe përgatitje nga “Zoja e Këshillit të Mirë”, për t’i prezantuar rektorëve dhe pedagogeve të shquar, universitetin dhe arritjet e tij, por edhe Tiranën e Shqipërinë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë