Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Qyteti ku nuk lejohen reklamat e mishit

Nga A2 CNN
22 Tetor 2022, 13:24 | Aktualitet

Qyteti holandez i Haarlemit ka vendosur që të ndalojë reklamimin e mishit në rrugët e tij. Siç kanë bërë tashmë qytetet e tjera holandeze me reklamat e linjave ajrore dhe karburanteve fosile, Haarlem dëshiron të reduktojë ngrohjen globale duke ndaluar reklamimin e produkteve të mishit, një masë që do të hyjë në fuqi në vitin 2024, sipas EuroNews.

Ziggy Klazes, një këshilltar për partinë GroenLinks që paraqiti mocionin, siguroi se qëllimi është të ndalohet “vetëm reklamimi i mishit që vjen nga industria e madhe, në të cilën hyjnë restorantet e ushqimit të shpejtë në hapësirat reklamuese të kontrolluara nga autoritetet lokale, të tilla si stacionet e autobusëve ose marketet”.

“Nuk kemi problem as me fermerët që prodhojnë mish në shkallë shumë të vogël, as me ata që hanë mish. Thjesht duam që njerëzit të bëjnë zgjedhjen e duhur, jo të zgjedhin mishin e prodhuar me çmim të lirë, i cili më pas kushton shumë gazra që dëmtojnë planetin”, shpjegoi Klazes.

Mocioni u prezantua në nëntor 2021 dhe këshilli i qytetit e miratoi atë vetëm disa javë më parë, por ligjshmëria e një plani të paprecedentë në mbarë botën ende është duke u studiuar.

Menjëherë ra alarmi në Haarlem: disa dyqane besonin se nuk mund të reklamonin më salsiçet, se kasapët duhet të hiqnin tabelat nga fasadat e tyre dhe se supermarketet nuk do të reklamonin promocionet e produkteve të tyre të mishit. Partia e ekstremit të djathtë (FvD) madje bëri pyetje parlamentare për atë që e konsideronte një “ndalim diktatorial”.

Por nuk është kështu, sqaron Klazes, sepse kjo do të prekte vetëm blegtorinë industriale të kafshëve, dhe reklamat vetëm në dhjetëra markete ku bashkia jep me qira hapësira për reklama dhe nuk do të prekte biznesmenët e qytetit, si kasapët ose tezgat me sallam.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani