Administrata shqiptare, dyfish më e madhe se ajo gjermane

Nga A2 CNN
24 Tetor 2022, 15:45 | Aktualitet

Mbi 1 në katër të punësuar në të gjithë vendin sot janë të punësuar në shtet. Midis institucioneve qendrore, bashkive dhe kompanive publike, 185,696 persona paguhen nga paratë e taksapaguesit shqiptar.

Administrata publike është e fryrë, nga cilido këndvështrim. Në Bashkimin Europian punësimi në shtet zë 16% të totalit, krahasuar me 26% në vendin tonë. Individualisht kapërcehemi vetëm nga Suedia, Danimarka dhe Norvegjia, ku roli social i shtetit kërkon për më shumë punonjës në shërbim të qytetarëve, por ku edhe kompanitë publike kanë një performancë shumë të mirë. Nga ana tjetër e shkallës qëndron Gjermania, me vetëm 11% të punonjësve në shtet.

Tendenca në Europë është për reduktimin e administratës publike. Në Shqipëri, prej vitit 2013 administrata është fryrë me mbi 21 mijë nëpunës, çereku i tyre drejtorë dhe nëpunës të tjerë të lartë.

Reformat e ndërmarra, si ajo administrative-territoriale, ku kaluam nga sistemi i komunave në 61 bashki, sollën efektin e kundërt nga ai që pritej, duke shtuar me 50% numrin e punonjësve. Edhe reforma në administratën publike, nuk po arrin drejt objektivit të rritjes së eficiencës, kur thuajse çdo institucion që raporton në Kuvend, kërkon çdo vit rritje të organikës.

Përballë kërkesave që vijnë sot për të rritur pagat, sipas Erebarës, edhe nëse do të kishim një administratë publike më të vogël, sërish hapësira fiskale për rroga do të ishte e ulët. Edhe projektbuxheti 2023 parashikon një rritje të vendeve të punës në administratën qendrore me 548 pozicione të reja shtesë, teksa shpenzimet për personelin do të kapërcejnë vlerën e 825 milionë eurove.

A2 CNN Livestream

A2 Business