Inflacioni, rreziku nr.1. Kura e Bankës së Shqipërisë, e hidhur, por e domosdoshme

Publikuar më: 27/10/2022, ora 13:48

Inflacioni, rreziku nr.1. Kura e Bankës së Shqipërisë, e hidhur, por e domosdoshme

Publikuar më: 27/10/2022, ora 13:48

Inflacioni është rikthyer, por si të përballemi me të në kushtet e pasigurive të mëdha. Kjo ishte tema e konferencës së organizuar nga Banka e Shqipërisë, së bashku me London School of Economics, në përpjekje për të sjellë një recetë për krizën që po kalojmë.

Guvernatori Gent Sejko mbrojti rritjen e normës bazë të interesit, një veprim ndoshta i pakëndshëm, por i domosdoshëm. “Në këndvështrimin social, teoria dhe praktika botërore dëshmojnë se inflacioni i lartë rrit pabarazinë sociale, duke prekur më shumë shtresat me të ardhura të pakta, si dhe mund të dëmtojë konsensusin politik dhe vetë institucionet demokratike të një shteti. Në kontekstin e vendeve në zhvillim, inflacioni i lartë ka një ndikim shtesë negativ në stabilitetin financiar, duke dëmtuar besimin e publikut në monedhën kombëtare dhe duke goditur, potencialisht, edhe besimin e tij në institucionet financiare. Ne hyjmë në këtë betejë të bindur se kura jonë do të shërojë sëmundjen, por – sado e hidhur dhe e pakëndshme – nuk do të dëmtojë pacientin”, tha Sejko.

Sipas profesorit të London School of Economics, Vassilis Monastiriotis, kjo është mbi të gjitha një krizë furnizimi: në energji, në prodhim dhe nuk mund të tejkalohet vetëm me reagimin e qeverisë dhe bankës qendrore. “Institikti i bankave qendrore, duke dashur të jem provokues, është të thonë se do të rris normën bazë të interesit, do të ul qarkullimin e parasë, sepse ekonomia po nxehet. Por ekonomia nuk po nxehet, situata në Ukrainë po nxehet dhe çmimet e energjisë po rriten. Ndaj gjëja e fundit që do të donim është të prezantonim më shumë faktorë në rënien e prodhimit. Ndaj rritja e normës bazë nuk do të ndihmojë interesat e bizneseve, nuk do të ndihmojë kreditë për shtëpi të konsumatorëve”.

Sipas profesorit, Bashkimi Europian nuk duhet të zvarrisë më anëtarësimin e vendeve të rajonit. Por duhet t’i shohë si një mundësi e artë për të afruar prodhimin. “Ne e dimë që një pjesë e zgjidhjes është rritja e produktivitetit. Sepse shoku i zinxhirit të furnizimit nuk tejkalohet vetëm me politika monetare dhe në kushtet e kufizimeve të politikës fiskale. Duhet të kapim mundësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit europian, për të rritur produktivitetin, për të zhvilluar sektorët e ekonomisë, që jo vetëm janë vlerë e shtuar, por mund të ngrenë ekonominë në pjesët e duhura të zinxhirit të furnizimit rajonal dhe botëror”.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha në fjalën e saj se qeveria do të vazhdojë mbështetjen e shtresave në nevojë, duke mos rritur çmimin e energjisë dhe parmes investimeve në këtë sektor.