Mbi 20 milionë njësi të shitura, lamtumirë makinës legjendare

Publikuar më: 27/10/2022, ora 14:34

Mbi 20 milionë njësi të shitura, lamtumirë makinës legjendare

Publikuar më: 27/10/2022, ora 14:34

Elektrifikimi i makinave do të ndryshojë industrinë e automobilëve. Edhe markat e mëdha do t’i nënshtrohen epokës së re që na pret të gjithëve, sidomos pas vitit 2030. Dhe një nga makinat e para që do të zhduket, do të jetë e famshmja Ford Fiesta.

Ford ka konfirmuar se do t’i japë fund prodhimit të atij që është padyshim modeli i tij më legjendar: Fiesta. Presidenti i Ford Europe, Martin Sander, zyrtarizoi lajmin se Ford Fiesta do të mbyllë një histori suksesi në vitin 2023.

Ford Fiesta, që nuk do të prodhohet as si makinë elektrike në të ardhmen, filloi prodhimin 46 vjet më parë (1976) dhe ka krijuar shtatë gjenerata modelesh.

“Ne do të prezantojmë tri makina të reja elektrike dhe katër makina komerciale në Evropë deri në vitin 2024. Qëllimi është të shesim më shumë se 600.000 makina elektrike në kontinent në vitin 2026 dhe të prodhojmë 1,2 milionë njësi në Këln në gjashtë vitet e ardhshme”, shpjegoi Sander.

Këto tri modele do të jenë të gjitha të tipit SUV. I pari do të arrijë në 2023 dhe do të montohet në Këln, “qendra nervore” e gjeneratës së re të Fordit elektrik për Evropën. Bëhet fjalë për një “crossover” të përmasave të mesme që do të pasohet një vit më vonë nga një “crossover” sportiv.

Gjithashtu, në vitin 2024 do të mbërrijë gjenerata e re e Ford Puma.