Fatura e majme e importeve, kostoja e energjisë për këtë vit pritet të jetë 420-520 mln euro

Publikuar më: 28/10/2022, ora 15:21

Fatura e majme e importeve, kostoja e energjisë për këtë vit pritet të jetë 420-520 mln euro

Publikuar më: 28/10/2022, ora 15:21

Pavarësisht paqartësive nëse do të aplikohet fasha 800 kilovatorë, mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga çmimi i lartë i energjisë elektrike po luhet si karta e sigurt e kryeministrit Edi Rama në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023.

Fakti mbetet që fatura që po paguhet nga taksat e shqiptarëve për të siguruar energjinë elektrike në tregun ndërkombëtar është e lartë. Vetëm për periudhën janar-tetor, janë shpenzuar rreth 330 milionë euro për të siguruar energji nga importi. KESH u detyrua të blejë energji me çmimet e tregut deri në 525 euro për mWh, të rritura ndjeshëm veçanërisht pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Shqipërisë do t’i akordohen 80 milionë euro në formën e granteve, për të përballuar krizën energjetike. Kryeministri Edi Rama tha se kjo është një shifër e konsiderueshme, por përbën vetëm 1/6 e kostos për importin e energjisë elektrike për këtë vit. 460 milionë euro pritet të jetë fatura e energjisë elektrike deri në fund të vitit. Parashikimet e qeverisë, sipas kësaj deklarate, janë që nëntori dhe dhjetori, do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit të paktën 130 milionë euro.

Duke marrë parasysh importet e energjisë për këto dy muaj vitin e kaluar, Shqipëria mund të blejë në tregun ndërkombëtar rreth 812,000 mWh. Edhe pse situata në kaskadën e Drinit rezulton e përmirësuar lehtë krahasuar me 2021-in.

A2 CNN kërkoi më shumë informacion nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, që na komunikoi se plani është që të importohen rreth 480 mijë mWh për dy muajt e mbetur të vitit, pra gjysma. Kjo për shkak se KESH planifikon të kursehet 15% e energjisë elektrike krahasuar me një vit më parë, nga ndërgjegjësimi qytetar.

Çmimet e tregut që parashikon KESH janë 350-400 euro për megavatorë. Kostoja do të varionte nga 168 – 192 milionë euro. Por nëse bëjmë një llogari me çmimin aktual në bursë, këto importe do t’i kushtonin buxhetit 96 milionë euro. Në të dyja rastet, kostoja vjetore e blerjeve të energjisë do të ishte 5-7 herë më të larta se granti i Bashkimit Europian.