Festa mbaroi! “Rave Party” do të kriminalizohet në Itali

Publikuar më: 1/11/2022, ora 15:48

Festa mbaroi! “Rave Party” do të kriminalizohet në Itali

Publikuar më: 1/11/2022, ora 15:48

Festa mbaroi! Fjalët e ministrit nga ekstremi i djathtë në Itali, Mateo Salvini i referohen vendimit për të kriminalizuar mbajtjen e të ashtuquajturave Rave Party apo festivale me muzikë elektronike pa autorizim. Propozimi i qeverisë Meloni për t’i shpallur të paligjshme festimet e mëdha erdhi disa orë pas ndalimit të një organizimi të tillë në veri të Italisë, që sipas autoriteteve kishte joshur mijëra pjesëmarrës nga e gjithë Europa.

Kryeministrja Meloni tha se ligji i ri synonte mbrojtjen e qytetarëve dhe përcillte mesazhin se Italia nuk është më një shtet pa rregulla.

“Me këtë masë kundër festimeve Rave, kërkojmë të mos jemi ndryshe nga vendet e tjera. Duam të japim mesazhin se Italia nuk është vendi ku mund të vish për të kryer një krim pasi jemi më pak të vëmendshëm se të tjerët”, tha Meloni.

Dënimi i ri, për pjesëmarrje në grumbullime të rrezikshme të më shumë se 50 personave, parashikon deri ne 6 vite burg dhe i hap rrugën mundësisë së përgjimit të organizatorëve. Mijëra të rinj që po merrnin pjesë në një rave party të organizuar në një magazinë në Modena, u detyruan të largoheshin nga policia. 

Banorët ishin ankuar për 48 orë pa pushim me muzikë tekno në aktivitetin e mbajtur për Halloween, e ku po merrnin pjesë të rinj nga qytete të afërta italiane, e po ashtu Belgjika dhe Franca.

Edhe qeveria paraardhëse kishte nisur punën për të ndryshuar legjislacionin pasi një Rave masiv në 2021-shin në qytetin e Viterbos përfundoi me vdekjen e 2 personave. Por masa e administratës së djathtë shkon më tej, duke përfshirë edhe gjoba të mëdha dhe konfiskim të fonive.

Kritikët ngritën pikëpyetje përse qeveria kishte shënjestruar këto lloj aktivitetesh, por kishte shpërfillur një marshim fashist në fundjavë, nga 2 mijë mbështetës të Musolinit.