Napoli dhe Liverpool sfidë për kreun, Bayern pret Inter në ndeshjen e fundit

Publikuar më: 1/11/2022, ora 10:35
CHAMPIONS PRAG LIVERPOOL NAPOLI E BAYERN INTER 1280x720

Napoli dhe Liverpool sfidë për kreun, Bayern pret Inter në ndeshjen e fundit

Publikuar më: 1/11/2022, ora 10:35

Ndeshjet e gjashta dhe të fundit në fazën e grupeve të Champions. Nëse do të ishte një ditë normale, kjo e martë do të rezervonte dy supersfida, që janë ajka e futbollit të madh. Napoli luan në Anfield Road kundër Liverpool, teksa Bayern Munchen pret Interin. Dy duele që skuadrat kërkojnë t’i fitojnë, edhe pse suksesi vlen vetëm për prestigj, pasi të katërta janë të kualifikuara në fazën tjetër.

Bayern-Inter është një lloj miqësoreje. Bavarezët e kanë siguruar kreun e Grupit C, me pesë fitore në po kaq ndeshje. Ambicia është mbyllja perfekte e kësaj faze. Në anën tjetër, Interi është i kënaqur me vendin e dytë, edhe sepse në grupin e ferrit nxori jashtë loje Barcelonën.

Në Grupin A, Liverpool dhe Napoli kanë siguruar vendin në 1/8, por në lojë është vendi i parë. Italianët kanë 15 pikë, teksa Reds 12.Napoli ka avantazhin e suksesit 4-1 në ndeshjen e parë, por mund të humbasin edhe me tre gola diferencë e përsëri ta mbyllin grupin si kryesues, falë golavarazhit më të mirë.

Beteja vazhdon vetëm në Grupin D, aty ku katër skuadra kanë shansin të kualifikohen. Tottenham kryesues me 8 pikë, luan në fushën e Marseille të vendit të fundit, me 6 pikë. Ndërkohë, në takimin tjetër përballen Sportingu dhe Eintracht që kanë 7 pikë.