Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Vetë është në luftë prej 8 muajsh, por luan rolin e negociatorit të paqes

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2022, 11:24 | Bota

Rusia është përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt brutal në Ukrainë prej më shumë se 8 muajsh, por kjo nuk e pengon Presidentin Vladimir Putin të bëjë rolin e negociatorit të paqes mes shteteve të tjera.

Retorika e rusëve për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë shtohet përditë, por Putin dëshiron të shohë të pajtuar dy vendet fqinj, që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Të hënën, Putini zhvilloi bisedime me liderët e të dy vendeve, kryeministrin armen Nikol Pashinyan dhe presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev, të cilët janë në konflikt për shkak të krahinës Nagorno-Karabakh, një territor brenda kufirit të Azerbajxhanit, por që banohet nga armenë.

Pas një dite bisedimesh në Soçi, Putin tha përmes një deklarate se nuk kishte arritur të bënte bashkë palët mbi gjithçka - madje disa pika ishin hequr fare nga diskutimi - por në përgjithësi bisedimet ishin të dobishme.

Udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit pranuan që të mos përdorin forcën ushtarake dhe t’i qëndrojnë besnikë marrëveshjeve të mëparshme ndërkohë që vijojnë bisedimet për të zgjidhur përfundimisht konfliktin.

Muajin e kaluar, në një betejë të ashpër mes palëve, 200 njerëz mbetën të vrarë. Me kërkesë të Armenisë, që prej vitit 2020 Putin ka vendosur aty trupa paqeruajtëse.

Historia dhe aleancat komplekse, konflikti i shpjeguar “me dy fjalë”

Nagorno-Karabakh është një krahinë pjesë e Azerbajxhanit, por popullsia është etnikisht armene. Që në vitet 1980, kur të dy shtetet ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, krahina votoi për t’u bërë pjesë e Armenisë, duke ndezur kështu një konflikt që u ndal vetëm me armëpushimin e vitit 1994.

Që prej atëherë, krahina ka mbetur pjesë e Azerbajxhanit, por kontrollohet nga separatistët armenë që mbështeten nga qeveria në Jerevan. Deri së fundmi, negociatat janë ndërmjetësuar nga fuqitë e mëdha ndërkombëtare, por nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje paqeje.

Armenia është një shtet ku popullsia është në shumicë e krishterë, ndërsa Azerbajxhani ka një popullsi me shumicë myslimane. Turqia ka lidhje të ngushta me Azerbajxhanin ndërsa Rusia i ka me Armeninë, por ka edhe marrëdhënie të mira me Azerbajxhanin.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli