Kamerat e policisë, historia e suksesit që kushtoi 5 milionë euro, por që u “dëmtua” rrugës

Publikuar më: 2/11/2022, ora 15:15

Kamerat e policisë, historia e suksesit që kushtoi 5 milionë euro, por që u “dëmtua” rrugës

Publikuar më: 2/11/2022, ora 15:15

Prej vitit 2016 kur u prezantuan për herë të parë një investim prej gati 5.7 milionë eurosh dhe si vendi i parë në Ballkan që i vuri në zbatim, sot 6 vite më pas asnjë nga kamerat e trupit të policisë së shtetit nuk funksionon.

Diçka e tillë ka ngritur mjaft pikëpyetje edhe në zbatimin e detyrave nga policia e shtetit, ku në disa ngjarje, vetë uniformat blu kanë qenë të përfshira.

Për Xhavit Shalën ekspertin e sigurisë njëherësh pedagog në akademinë e sigurisë deklarata e ministrit të Brendshëm për rikthimin e tyre është inkurajuese pasi ridimensionon marrëdhënien e qytetarit në raport me ligjin.

Shala tha për A2 se krahas veprimeve të policisë të cilat sigurojnë qytetarët, por edhe vetë efektivët në uniformë, kamerat e trupit do të shërbejnë dhe në aspektin mësimor në Akademinë e Policisë, por jo vetëm.

Për investimin e policisë, në vitin 2017 Prokuroria e Tiranës nisi hetime për shkelje të barazisë në tendera, hetime të cilat nuk çuan askënd në bankën e të akuzuarve.

Vetëm pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se do të akordohet një fond i posaçëm për rikthimin e tyre. Për daljen jashtë funksionit të kamerave, ministri tha se ato përbëheshin nga një material i dobët ndaj dhe rregullimi i tyre ishte i pamundur.