Kërcënim serioz nga Koreja e Veriut, lëshon 10 raketa, kundërpërgjigjet Seuli

Publikuar më: 2/11/2022, ora 07:55

Kërcënim serioz nga Koreja e Veriut, lëshon 10 raketa, kundërpërgjigjet Seuli

Publikuar më: 2/11/2022, ora 07:55

Koreja e Veriut vijon të tensionojë më tej situatën në rajonin e saj duke provokuar fqinjët dhe aleatët e tyre strategjikë me teste raketore.

Të paktën 10 raketa me rreze të shkurtër veprimi u lëshuan orët e fundit nga Peniani në drejtim të Detit të Japonisë, në atë që shihet nga ekspertët si një kundërpërgjigje e Koresë së Veriut për manovrat ushtarake që Koreja e Jugut është duke zhvilluar me ushtrinë amerikane.

Por duket se situata këtë herë është pak më e ndërlikuar se herët e tjera. Ushtria koreano-jugore konfirmon se lëshimi i këtyre raketave nga Koreja komuniste ka shkelur hapësirën ajrore dhe për këtë arsye është kundërpërgjigjur duke lëshuar 3 raketa me precision në pjesën veriore detare të kufirit ndërkorean.

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol duke i cilësuar testet raketore të fqinjëve si një pushtim territorial.

Ndërkohë nga ana tjetër Koreja e Veriut paralajmëron se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut do ta paguajnë shtrenjtë nëse vendosin të përdorin forcën.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada deklaroi në një konferencë për shtyp se të paktën dy raketa ranë pranë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë, rreth 150 kilometra nga vendi i lëshimit. Kryeministri japonez, Fumio Kishida, i quajti edhe një herë të papranueshme lëshimet e raketave të Koresë së Veriut, e cila ka hedhur 28 të tilla që nga fillimi i vitit 2022.