Mediu: Detyra jonë është të bashkojmë shqiptarët për të rrëzuar Ramën

Publikuar më: 2/11/2022, ora 11:11

Mediu: Detyra jonë është të bashkojmë shqiptarët për të rrëzuar Ramën

Publikuar më: 2/11/2022, ora 11:11

Aleatët e Partisë Demokratike kanë nisur takimet në bazë, ndërkohë që ka nisur procesi i zgjedhjeve të brendshme për kandidatët për kryetar bashkie, ose siç njihen, primaret. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi një takim me strukturat e forcës politike që drejton në Fier.

Mediu bëri thirrje që e djathta duhet të jetë sa më e bashkuar në këtë moment, që e cilësoi si një ndër më të vështirët pas viteve 1990. “Ne jetojmë në kushtet pothuajse më të vështirat në këto vite të pluralizmit politik. Shqipëria po kalon momente jashtëzakonisht problematike. Ne nuk kemi më Republikë Kushtetuese, nuk kemi Kushtetutë të qytetarëve, por kemi një dokument që qeveria e përdor sipas interesit të vet, dhe kur e bën këtë, do të thotë që qytetarët nuk kanë liritë dhe mundësitë për të bërë atë që është më e mira për familjen e tyre dhe për vendin e tyre”, tha Mediu.

“Po ashtu, ekonomia shqiptare po rrënohet çdo ditë. Ky rrënim ekonomik nuk vjen për shkak të pamundësive të vendit tonë, të qyteteve tona, por vjen për shkak të krimit dhe korrupsionit, që ka arritur në nivelet më të larta të shtetit dhe në bashkëpunim me shtetin, duke krijuar kështu një moment jashtëzakonisht të vështirë që kërkon reagimin e të gjithëve”.

Mediu tha gjithashtu se largimi nga Shqipëria i të rinjve dhe të rejave dhe i njerëzve profesionistë, po krijon një situatë jashtëzakonisht të vështirë. “Po ndodh një fenomen i papranueshëm. Shqipëria nga vendi i cili mbahej për moshën mesatare më të re, po kthehet në një vend i atrofizuar dhe i mplakur, ku së bashku me plakjen dhe atrofizimin e politikës, po ndodh dhe atrofizimi i shoqërisë, i cili për fatin e keq, krijon premisa tërësisht negative për atë që ne kemi ëndërruar dhe besuar të gjithë, që është Shqipëria europiane. Opozita, e djathta të paktën, në radhë të parë të bashkohet tek identiteti i vet politik, i cili i ka falur liritë dhe të drejtat, të cilat janë të patjetërsueshme, dhe ne të gjithë bashkë kemi krijuar qeverinë, për të respektuar këto liri dhe të drejta”.

Përballë vendimit të grupimit “Alibeaj” për të dalë më vete në zgjedhjet e 14 majit, Mediu tha se e vetmja rrugë për t’u përballur me Ramën është që opozita të shkojë me një kandidat të vetëm. “Detyra jonë është për të bashkuar shqiptarët për të rrëzuar pushtetin e Edi Ramës. Kurse detyra e dytë është që të hapim mundësitë për të rinjtë dhe të rejat për të qeverisur vendin. Ne e kemi provuar veten tonë. Ka ardhur koha që t’i japim shanse dhe mundësi shqiptarëve”, tha ai.