Rusia i rikthehet marrëveshjes së grurit

Publikuar më: 2/11/2022, ora 11:56

Rusia i rikthehet marrëveshjes së grurit

Publikuar më: 2/11/2022, ora 11:56

Pak ditë pasi pezulloi pjesëmarrjen në marrëveshjen për eksportin e sigurt të drithërave në detin e zi, Rusia bën një kthesë 360 gradë dhe thotë se është dakordësuar me Turqinë të bëhet sërish pjesë e ujdisë.

“Federata ruse konsideron se garancitë e siguruara për momentin janë të mjaftueshme dhe vendos t’i rikthehet pjesëmarrjes në ujdinë për transportin e sigurt të ushqimeve nga portet ukrainase, e cila u pezullua për shkak të veprimeve terroriste në Sevastopol”, tha Igor Konashenkov.

Moska pezulloi pjesëmarrjen në ujdi ditën e shtunë, pasi akuzoi Ukrainën për shënjestrimin me dron të flotës ruse në Detin e Zi. Megjithatë OKB, Turqia dhe Ukraina nuk e ndalen lëvizjen e anijeve me drithëra, edhe pas tërheqjes së Rusisë. Ishte Ankaraja që e njoftoi e para kthesën e Kremlinit, pas një telefonate mes ministrit rus të Mbrojtjes dhe homologut turk.

Më pas erdhi konfirmimi nga zëdhënësi i ministrisë ruse, i cili tha se Kievi kishte dhënë garanci të shkruara se nuk do të përdorte itinerarin për qëllime ushtarake. 

“Falë pjesëmarrjes së organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe asistencës së Turqisë, morëm garancitë e nevojshme nga pala ukrainase se nuk do të përdor korridorin humanitar për qëllime ushtarake kundër federatës ruse”, tha zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes.

Por ministrja e Jashtme gjermane, Analena Barbok, tha se kthesa e beftë e Rusisë tregonte se sa shumë mund të arrijë komuniteti ndërkombëtar nëse refuzon të shantazhohet nga Moska. Ujdia për drithërat skadon në 19 nëntor dhe palët e përfshira ende nuk janë dakordësuar për zgjatjen e saj. Sipas OKB 9.8 milionë ton drithëra, vaj luledielli dhe bimë sojë janë eksportuar rreth botës që prej nisjes së operacionit në 3 gusht.