Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Samiti i Berlinit, liderët e Ballkanit pritet të nënshkruajnë 3 marrëveshje  

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2022, 10:29 | Bota
Samiti i Berlinit, liderët e Ballkanit pritet të

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë tri marrëveshje në samitin e Berlinit që nis më 3 nëntor. Zyrtarë të qeverisë gjermane thanë se marrëveshjet do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, ndërsa pritet të njoftohen fonde edhe për përballimin e krizës energjetike.

Një zyrtar i qeverisë në Berlin tha për agjencinë e lajmeve Reuters se këto janë lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit ende të trazuar nga konfliktet.

Siç shpjegoi ai, qëllimi është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova t’i afrohen qëllimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, mes shqetësimeve në rritje mbi ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.

Por samiti do të shfrytëzohet edhe për t’u përcjellë mesazhe të qarta shteteve të rajonit, veçanërisht Kosovës dhe Serbisë. Gjermania dhe Franca, të cilat po bëjnë presion diplomatik që dy vendet të pajtohen me propozimin e  tyre për normalizimin e marrëdhënieve, do të theksojnë se nuk ka më vend për konflikte.

“Sot nuk ka më vend për konflikte të tilla, me potencial shpërthyes, siç është ai midis Kosovës dhe Serbisë. Status quo-ja është e papranueshme. Nuk mund të vazhdohet kështu që statusi të kthehet në mollë sherri për çdo çështje”.

Statusi i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë është një nga gurët që pengojnë përparimin e Tregut të Përbashkët Rajonal që është në fokus të Procesit të Berlinit. Që kur u iniciua Procesi i Berlinit, në vitin 2014, nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, është jetësuar vetëm heqja e tarifave roaming. Katër marrëveshjet e tjera të arritura në samitin hibrid të Sofjes, në nëntor 2020, mbetën të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës. Prandaj edhe nënshkrimi i tre prej tyre që pritet të bëhet më 3 nëntor në Berlin konsiderohen nga Gjermania si sukses i rëndësishëm

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani