Taksimi i profesioneve të lira, “barra do të bjerë mbi qytetarët, nuk zgjidhet informaliteti e pabarazitë”

Publikuar më: 2/11/2022, ora 17:58

Taksimi i profesioneve të lira, “barra do të bjerë mbi qytetarët, nuk zgjidhet informaliteti e pabarazitë”

Publikuar më: 2/11/2022, ora 17:58

Nisur nga viti i ardhshëm, noterët, agjentët imobiliarë, dentistët, mjekët, IT-të, guidat turistike, avokatët e një sërë të profesionesh që ofrojnë shërbime do të fusin më pak para’ në xhep.

Le te marrim si shembull një avokat me xhiro vjetore 8 milionë lekë. Dy vitet e fundit ai nuk ka paguar taksa shtesë krahas kontributeve dhe taksave vendore. Por me ligjin e ri për të ardhurat, detyrimet që ai duhet t’i paguajë tatimeve do të jenë nga 600 mijë deri në 840 mijë lekë, duke marrë statusin e të vetëpunësuarit.

Sipas avokatit Ermal Hamaj, “këto të ardhura që do të paguhen do të shkarkohen dikur tjetër, dhe fundori si gjithmonë janë qytetarët. Patjetër që shteti mbahet me taksa, por jo t’i qepesh një profesioni dhe në 10 vjet t’ia rëndosh punët.

Edhe më shumë do të duhet të japë një profesionist i lirë si guidë turistike apo agjent imobiliar, pasi nëse të ardhurat i marrin nga 1 deri në 3 subjekte, do të konsiderohen të punësuar. Nga zero taksa të paguara, një guidë do të nxjerrë nga xhepi duke derdhur në arkën e “tatimeve” plotë 1.5 milionë lekë.

“Nuk jemi gati për këtë ndryshim, duke parë edhe rritjen e çmimeve. Profesionet e lira punojnë part-time dhe kjo do të sjellë frikë”, pohon Jetmira Hoxha, guidë turistike.  

Për ekspertët kontabël, propozimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë  në vend të konsolidimit fiskal do të nxisë informalitetin e do te krijojë pabarazi.

“Po u miratua siç është servirur, besoj se do të ketë dëme anësore, profesionistët do t’i shmangen ose do të ndërpresin kontratat, sepse një punëdhënësi nuk mund ta trajtosh si punëmarrës”, shton Avni Tobli, ekspert kontabël.

Sipas vlerësimeve të qeverisë, ndryshimet do të vijnë për t’u dhënë fund deformimeve që i janë bërë sistemit fiskal, ku të punësuar që trajtohen me taksë progresive kanë dalë nga listëpagesat, duke u regjistruar si të vetëpunësuar.