A2 CNN në shtëpinë e të moshuarës, e bija mes lotëve: Nuk kemi më besim tek askush

Publikuar më: 3/11/2022, ora 19:40

A2 CNN në shtëpinë e të moshuarës, e bija mes lotëve: Nuk kemi më besim tek askush

Publikuar më: 3/11/2022, ora 19:40

Brenda familjes së të moshuarës në Pejë të Kosovës mbizotëron ende shoku për atë çfarë ndodhi. Për A2 CNN rrëfejnë gjithçka të përjetuar, në episodin e dhunës në qendrën e përkujdesjes “Orenda”, që tronditi mbarë opinionin publik.

Me lot në sy dhe në gjendje shoku, Zhaneta Nura, e bija e Miniere Nura, të moshuarës së dhunuar në qendrën e përkujdesjes në Pejë, rrëfen ndjesitë e saj për atë çfarë ndodhi. “Nuk mund ta besoja… thosha “montim duhet të jetë”. Nuk mund ta besoja që me të vërtetë mund të ndodhte diçka e tillë”, tregon Zhaneta për A2 CNN. “Si ka mundësi, një 70-vjeçare, e sëmurë, ta rrethojnë 4 hiena. Njëra e mban, njëra e godet, njëra bën humor, tjetra incizon. A ka Zot? Nuk di ta përshkruaj, por do t’i shkoj deri në fund”.

E pyetur mbi reagimin e madh në Kosovë dhe Shqipëri lidhur me atë që ndodhi dhe kritikat e shumta që ka marrë për dërgimin e nënës në azil, Zhaneta thotë: “Ka paragjykime shumë. Kurrkush nuk mund ta dijë si ka qenë gjendja. Kurrkush nuk mund ta dijë në çfarë gjendje kam qenë unë, si vajzë. Është shumë e lehtë të shkruash “Pse e ke lënë nënën të shkojë? Pse e ke lënë në azil?”. Kurrkush nuk di kurrgjë se çfarë ka ndodhur. E kam humbur besimin”.

Qytetarët e Pejës kërkojnë dënimin maksimal për autoren e episodit të dhunës ndaj të moshuarës, si dhe për pjesëtarët e tjerë të stafit që nuk bënë asgjë për ta ndaluar.

Për rastin e dhunës dhe të trajtimit çnjerëzor, policia e Kosovës ka ndaluar 3 persona: Aurona Pelaj autore e dhunës, Altina Rezhepi dhe Remzie Kuqi që kanë filmuar episodin e tmerrshëm dhe nuk kanë ndërhyrë.

Kundër tyre u mbajt dhe seanca gjyqësore, ku prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë.