“Fshatarët të mos kenë frikë për sekuestrimin e tokës djerrë”

Publikuar më: 3/11/2022, ora 23:30

“Fshatarët të mos kenë frikë për sekuestrimin e tokës djerrë”

Publikuar më: 3/11/2022, ora 23:30

Gjatë një takimi me fermerë të Fierit, kryeministri Edi Rama njoftoi pak ditë më parë se kush ka një tokë bujqësore dhe e mban djerrë atë do të paguajë më shumë taksa. Menjëherë, bujqit u trembën nga kjo deklaratë dhe këtu më shumë preken ata që nuk kanë të ardhura për të përballuar kostot, të moshuarit që jetojnë vetëm me remitancat dhe çdo sipërmarrës që nuk ia doli, për të mos thënë dështoi në tentativën e fundit për të bërë biznes me bujqësinë.

Për këtë temë, në studion e “Ditarit” në A2 CNN ishte i ftuar specialisti i bujqësisë, Zef Gjeta, i cili mendon se në parim kreu i qeverisë ka të drejtë, “por ama nuk zgjidhet kështu”.

“Statistikat që kemi sot nuk janë të sakta. Unë dua të di sa hektarë livadhe kemi gjithsej, sa hektarë që kulloten, sa stane kemi… Duhet të merret opinioni i atyre që preken nga reforma dhe shikohet se sa e drejtë është, ndryshohet diçka dhe pastaj zbatohet. Unë nuk kam gjë kundër, toka është pasuri kombëtare, duhet të prodhojë. Por, nuk mendoj se me këtë zgjidhje shkohet larg”, tha Gjeta.

Specialisti tregoi edhe se cilat produkte duhet të kultivojnë fermerët: “Jo të gjithë me qepën në të njëjtën kohë. Ne duhet ta mbështesim fermerin për manaferrën, mjedrën dhe luleshtrydhen. Duhet ta mësojmë fermerin, siç kanë bërë në Kosovë. Janë bimë të lehta, bimë dembeli quhen. Tregu evropian t’i merr sepse kanë shumë nevojë. Ata i përpunojnë, bëjnë lëngje frutash dhe i fusin në produkte. Ata të marrin sa të prodhosh. Për shembull, ne nisëm të kultivonim sherebelë gjithandej. Por, sherebela nga ura e Milotit e poshtë nuk është e vlefshme. Sherebela e Vlorës dhe Gjirokastrës nuk duhet për gjë, ajo e egër e Taraboshit është ta hash me bukë”.

Në fund, specialisti theksoi se fermerët nuk duhet të kenë frikë nga paralajmërimi i kryeministrit: “Po të isha pronar toke nuk do të kisha frikë sepse sa merr kthesën dinosauri për të ardhur te toka ime, nuk i del koha. Por, një zgjidhje duhet gjetur sepse është problem kombëtar. Fermeri të dëgjon kur i ofron diçka”.