Rama: Retorika britanike për shqiptarët, ulërima nga një çmendinë!

Publikuar më: 3/11/2022, ora 17:03

Rama: Retorika britanike për shqiptarët, ulërima nga një çmendinë!

Publikuar më: 3/11/2022, ora 17:03

Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu kritikat për Britaninë e Madhe, në lidhje me retorikën e javëve të fundit atje për emigrantët e paligjshëm shqiptarë që kalojnë Kanalin e La Manshit.

“Kur bëhet fjalë për kriminelët në burgjet britanike, numri (i shqiptarëve të burgosur) është më pak se 1%. Kështu që të veçosh një komunitet, të flasësh për gangsterë dhe kriminelë, nuk duket diçka shumë britanike. Duket më shumë si ulërima nga një çmendinë”, tha Rama nga Berlini, pas Samitit të Procesit të Berlinit.

Me në krah Kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se britanikët duhet të bëjnë punën e tyre për të ndaluar kalimet me gomone. “Njerëzit tan, deri sa arrijnë në Francë, janë totalisht të ligjshëm. Kështu që nëse ka ndonjë problem në kanal mes Francës e Britanisë, atëherë duhet të punojnë me njëra-tjetrën dhe të gjejnë një mënyrë për ta zgjidhur. E di që Brexit i ka vështirësuar punët, por ky ishte vendim i popullit britanik, jo i atij shqiptar dhe francez”, tha Rama. “Dhe në fund, jemi shumë të lumtur të bashkëpunojmë, të bëjmë gjithçka që mundemi nga ana jonë, por nuk do të pranojmë kurrë kurrë këtë lloj retorike. Shqiptarët janë një komunitet i madh në Britani, të integruar plotësisht”.

Një ditë më parë, përmes Twitter-it dhe gjatë një interviste në BBC, Rama tha se Shqipëria nuk mund të zgjidhë problemet e Britanisë së Madhe. Për komentet e kryeministrit pati edhe një reagim nga homologu britanik, Rishi Sunak, i cili përmes zëdhënëses së tij falënderoi Shqipërinë për bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Megjithatë, qeveria e re britanike po kërkon ta trajtojë me seriozitet çështjen e emigracionit të paligjshëm në vend. Ministrat janë duke hartuar një plan, i cili parashikon kthimin e menjëhershëm të emigrantëve shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve pasi hyjnë në Britaninë e Madhe, kërkojnë azil.

Sipas këtij plani, emigrantët shqiptarë do të kthehen brenda disa ditësh pas në vendin e tyre që të mos kenë kohë që të kërkojnë azil, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe emigrantët nga ky vend nuk mund të përfitojnë statusin e azilantit, vetëm në raste shumë të veçanta.

Ligjet aktuale parashikojnë se kur emigrantët mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuara ata duhet të vendosen nëpër hotele, por kjo nënkupton shpenzime të mëdha nga paratë e taksapaguesve britanikë.