Scholz rizgjon procesin e Berlinit, firmosen 3 marrëveshje

Publikuar më: 3/11/2022, ora 22:58

Scholz rizgjon procesin e Berlinit, firmosen 3 marrëveshje

Publikuar më: 3/11/2022, ora 22:58

Kancelari gjerman ka rizgjuar Samitin e Berlinit me firmosjen e 3 marrëveshjeve ndermjet 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Edi Rama e cilësoi një proces të nisur nga “Ballkani i hapur”, 2 vite më parë. Në ndihmë të rajonit për të përballur krizën energjitike do të vijë edhe Bashkimi Eropian, me një fond prej 1 miliard euro.

Kancelari gjerman Olaf Scholz arriti të rizgjojë procesin e Berlinit, një projekt i ideuar nga paraardhësja e tij, Angela Merkel, por që prej vitesh ishte lënë në harresë. Duke i ulur 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në krah të njëri-tjetrit, pikërisht në kryeqytetin e Gjermanisë, ku nisi e nga ku mori emrin i gjithë procesi, Scholz duket se i la pak shpresa për të mbijetuar idesë së Ballkanit të Hapur, që nuk gjeti asnjëherë mbështetje përtej Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Rikthimi i procesit të Berlinit u siglua nga 3 marrëveshje që ishin firmosur më herët nga treshja e Open Balkan, që mundëson lëvizjen vetëm me karta identiteti brenda rajonit, njohjen e diplomave të arsimit të lartë si dhe kualifikimin e profesioneve të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve. Tashmë, me bekimin e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne dhe anëtarët e tjerë të procesit të Berlinit do të vijojmë të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor. Samiti ka treguar që ka vullnet për të bashkëpunuar dhe për këtë arsye Gjermania do ta mbështesë këtë process në të ardhmen. Edhe BE e mbështet këtë proces”, tha Scholz. 

Edi Rama nuk e la pa përmendur që këto marrëveshje kanë nisur të zbatohen tashmë mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut: “Është një lajm fantastik që sot kemi 3 marrëveshje të nënshkruara të cilat ne i kemi firmosur më parë në Ballkanin e Hapur. Është shumë e rëndësishme që sot janë përfshirë të gjitha vendet e rajonit”. 

Shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u tregua më konkrete, duke folur me shifra për mbështetjen financiare të BE ndaj rajonit: “Për Ballkanin Perëndimor do të vihen në dispozicion 1 miliard euro grante, fond i cili do të ndahet në dy faza. 500 milionë eurot e para do t’i akordohen rajonit në janar të vitit të ardhshëm, ndërsa gjysma tjetër e shumës do të shërbejë për investimet në infrastrukurën e sistemit energjitik”.

Nga Berlini, kancelari gjerman dhe kryeministri shqiptar i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të pranojnë si zgjidhje planin gjermano-francez.

Po bëjmë të pamundurën që ta realizojmë një gjë të tillë. Jemi përfshirë në mënyrë shumë aktive në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje dhe uroj që shumë shpejt të vijmë në një proces ku të dyja palët së bashkume të arrijmë në rezultate pozitive, por duhen shumë përpjekje”, tha Scholz.

Edi Rama u shpreh:“Plani i ri gjermano-francez për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës është një mundësi mjaft e mirë jo vetëm për 2 vendet, por për të gjithë rajonin dhe Europën. Uroj shumë që të dyja palët ta marrin seriozisht këtë ofertë duke menduar edhe për sigurinë e rajonit”.

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet në Tiranë në muajin dhjetor. Në rolin e mikpritësit, Edi Rama kërkoi nga të gjithë që të vijohet me rezultate konkrete, për të mos mbetur vetëm në nivelin e deklaratave politike.